Ndeshja e nesërme e 1/8 finale të Europianit mes Italisë dhe Zvicrës do të ketë edhe sfidën në distancë mes Gigio Donnarumma e Yann Sommer. Për këtë arsye, sot në mëngjes, një ekspert porte si Walter Zenga foli për “Gazzetta dello Sport”: “Sommer është ai i zakonshmi. Nuk ta rrëmben vëmendjen, por është thelbësor, gjithmonë aty i gatshëm.
Të qenit më pak i strukturuar se Donnarumma nuk e kufizon atë, përkundrazi e shtyn t’i bëjë disa gjëra më mirë. Ka cilësi që i pëlqejnë të gjithë trajnerët, sidomos qëndrueshmëria. Sidoqoftë, kur përballesh me Gigio, mendon se porta e tij është ngushtuar”.
Për Donnarumma: “Para Europianit diskutohej, tani është shpëtimtari i vendit. Gjithçka bie mbi të, ka 65 paraqitje për kombëtaren. Ka CV e një portieri 34 vjeç, jo të një 25-vjeçari, sa është ai. Nëse është ndër më të mirët në botë? Për europianët, po. Sigurisht që ka vend për përmirësim, veçanërisht në sensin e pozicionit dhe vendosjen në krosime të caktuara”.
Për Zvicrën: “Është një kombëtare e vështirë, që të bën të luash keq. Pak si Austria. Ndoshta nuk ta ndez imagjinatën, por të bën të dukesh keq. Gjithashtu ka lojtarë që janë rritur shumë, thjesht shikoni evolucionin në Itali të Freuler, Aebischer, Ndoye dhe vetë Sommer”.