Jo vetëm stili dhe taktika…; Ferran Torres zbulon çelësin e suksesit të Spanjës

28 Qershor 2024
11:44
Alfred Lleshi
back button

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, Ferran Torres, sulmuesi anësor i kombëtares spanjolle, fokusohet te performanca e ofruar nga “Furitë e Kuqe” në fazën e grupeve të Kampionatit Europian: “Po, ishim spektakolarë në grup.

Ne ishim më të mirët, por tani nuk ka më vlerë. Në fazat me eliminim direkt nuk bëhet fjalë për të luajtur mirë, por vetëm për të fituar. Ndoshta mund të shihemi sërish më 15 korrik dhe do t’ju them që luajtëm keq, por e fituam turneun.

Ju në Itali e dini mirë se për çfarë po flas. E mbaj mend shumë mirë atë që ndodhi tri vite më parë në gjysmëfinale me ju. Ne zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer, por në fund kush shkoi në finale? Italia është Itali, gjithmonë një rival i rrezikshëm.

Çerekfinalja ndaj Gjermanisë? Tani po mendojmë vetëm për Gjeorgjinë. Jo për besëtytni, por nga përvoja. Kujtimi i humbjes me penallti kundër Marokut në 1/8 finale të Botërorit të Katarit është i freskët. Le të kalojmë me sukses Gjeorgjinë, pastaj flasim për çerekfinalet. Në rast se kualifikohemi, do të filloj t’iu dërgoj mesazhe Ter Stegen dhe Gundogan.

Spanja, kombëtarja e vetme që nuk ka pësuar ende gol në “Euro 2024”? Nuk ka rëndësi. Nëse doni të fitoni, duhet të mundni çdo rival. Po, sepse mbrojtësi i parë është qendërsulmuesi ynë dhe sulmi ndaj 11 kundërshtarëve është i komplikuar. Për ne, presioni pas humbjes është thelbësor për të rikuperuar topin sa më afër portës rivale.

Po, ne vazhdojmë të duam ta mbajmë topin, por jemi të gatshëm të luajmë edhe pa të. Ky ishte një proces i natyrshëm që erdhi me ndryshimin e trajnerit. Në kombëtaren tonë aktuale, miqësia ka më shumë rëndësi se stili dhe taktika. Shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin, forca e grupit fiton”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit