Manchester United i tregon derën edhe yllit të skuadrës, mund të shkojë te PSG në vend të Mbappe

28 Qershor 2024
12:50
Telesport
back button

Manchester United po përgatitet të largojë këtë verë sulmuesin anglez Marcus Rashford. Ylli anglez vjen pas një sezoni zhgënjyes dhe me shumë polemika, ndërkohë që shumë skuadra “big” në Europë janë interesuar për të.

26-vjeçari shënoi vetëm shtatë gola dhe kreu dy asistime në 33 paraqitje në Premier League sezonin e kaluar. Shifra të vakëta këto për Rashford, që sollën edhe përjashtimin e tij nga kombëtarja që ka shkuar në Euro 2024.

Klubi anglez pritet t’i nënshtrohet një rishikimi të skuadrës nën regjimin e ri të INEOS, të udhëhequr nga Sir Jim Ratcliffe. Kjo lëvizje ka bërë që PSG të ringjallë interesin e saj për Rashford, si një zëvendësues i mundshëm për Kylian Mbappe.

PSG është duke pritur për një “inkurajim të mjaftueshëm” financiar nga Manchester United përpara se të paraqesë një ofertë. “Djajtë e kuq” kërkojnë të paktën 70 milionë euro për sulmuesin për ta lënë të lirë.

Edhe klubet saudite janë gjithashtu të interesuara për Rashford, por lojtari thuhet se nuk është i etur për një lëvizje në Lindjen e Mesme. Këtë verë, pas Europianit, pritet një revolucion te skuadra e Manchester United.

Duket se klubi po u beson më shumë yjeve të rinj si Kobbie Mainoo, Alejandro Garnacho dhe Rasmus Hojlund. Trajneri Erik ten Hag i ka deklaruar zërat për largimin e gjysmës së skuadrës si të pavërteta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit