I rritur te Benfica, Joao Cancelo u largua nga Portugalia më shumë se njëmbëdhjetë vjet më parë, kur u transferua nga klubi i Lisbonës te Valencia dhe prej andej filloi ngjitjen e tij drejt majave të futbollit.
Inter, Juventus, Manchester City, Bayern Munich, Barcelona dhe, duke filluar nga vera e vitit 2024, transferimi në Arabinë Saudite, tek Al Hilal. Një karrierë e mbushur me klube të nivelit të lartë, që kulmoi, një vit më parë, me një periudhë në Ligën Profesionale Saudite.
Por tani, anësori 31-vjeçar portugez po ushqen një ëndërr, të kthehet aty ku filloi gjithçka: Benfica. Cancelo nuk e fsheh këtë dhe nga kampi stërvitor i ekipit kombëtar portugez ai zbulon këtë dëshirë në një konferencë për shtyp.
“Sigurisht që ëndërroj të kthehem në Evropë. Kam ende këtë vit dhe një vit tjetër kontratë me Al Hilal. Jam gjithmonë i hapur për aventura të reja. Do të doja të kthehesha në Evropë”, tha Joao Cancelo.
“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Benfica, varet nga ajo që rezervon e ardhmja. Gjithmonë do të ëndërroj të luaj për Benfica. Ishte klubi që më formoi, si dhe Barreirense. Dëshira ime për t’u kthyer në Benfica është gjithmonë e fortë”, tha portugezi.







