Pjesa e parë mes Andorrës dhe Shqipërisë është mbyllur në barazim pa gola. Edhe pse pati një dominim të dukshëm të Shqipërisë në fushë, kuqezinjtë nuk arritën dot të gjenin golin.
Kuqezinjtë e nisën në sulm takimin, Arbër Hoxha del bukur në krahun e majtë, por ndalet në fund nga portieri vendas. Në minutën e 12-të, ishte Manaj që kishte një mundësi të mirë, por goditja e tij bllokohet nga mbrojtësit vendas.
Në minutën e 16-të, Asllani provon nga goditja e dënimit, por topi përfundon pak mbi portë. Në minutën e 22-të, një gjysmë krosim apo goditje e bukur e Hoxhës por që nuk pati harkun e duhur, përfundon afër shtyllës.
Në minutën e 27-të, rast shumë i rrezikshëm për vendasit, që i afrohen golit me Rodrigo-n, por goditja e tij përfundon pak sipër traversës. Rasti më i mirë për Shqipërinë ishte në fund të pjesës së parë, kur goditja e Gjimshitit u ndal nga traversa. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
Në ndeshjen tjetër të grupit K, Anglia po fiton 1-0 ndaj Serbisë.







