Skuadra e Manchester United, përmes një postimi në rrjetet zyrtare, ka konfirmuar zgjatjen e kontratës me trajnerit holandez Erik ten Hag deri në vitin 2026. Kontrata i skadonte verën e ardhshme, por klubi vendosi t’ia zgjasë edhe për një sezon tjetër.
Kështu, menaxheri holandez do të vazhdojë të punojë e drejtojë në “Old Trafford” pavarësisht zërave për një largim që lindën sezonin e kaluar. “Jam shumë i lumtur që arrita këtë marrëveshje me klubin për të punuar sërish së bashku”, tha Ten Hag.
“Duke parë atë që kemi bërë dhe arritur në dy vitet e fundit shoh me krenari dy trofetë e fituara dhe shumë shembuj të përparimit që kemi shijuar. Gjithsesi, ky mbetet edhe një moment reflektimi për të ardhmen”, tha trajneri holandez.
“Tani na duhet të synojmë më shumë në Premier League dhe në Europë, ndaj me klubin kemi biseduar për vizionin tonë të përbashkët”, tha 54-vjeçari Ten Hag, që synon të tjera objektiva për të ardhmen.