Stramaccioni rendit shkaqet: Ja pse ky Kampionat Europian nuk është spektakolar

9 Korrik 2024
8:43
Alfred Lleshi
back button

“Deri tani ka qenë një Kampionat Europian jospektakolar, edhe në lidhje me cilësinë e lojtarëve që janë atje. Yjet nuk janë në gjendje të shprehin potencialin e tyre të plotë në fushë. Unë mendoj për Mbappe, gjithashtu i kufizuar nga dëmtimi në hundë, por edhe i talenteve të mëdhenj anglezë si Foden, të cilët jo gjithmonë kanë shkëlqyer në këtë kompeticion”.

Kështu u shpreh në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport”, Andrea Stramaccioni, ish-trajneri i Interit. Duke analizuar më tej Europianin e Gjermanisë, tashmë në javën e tij të fundit, trajneri Italian shtoi: “Ekipi që magjeps më shumë është Spanja. Është kombëtarja që luan më mirë, me më shumë zgjidhje dhe jep më shumë ndjesi për të fituar. Për më tepër, eliminoi ekipin tjetër që kishte treguar diçka shtesë, pikërisht Gjermaninë”.

Shkaku i këtij Europiani jo spektakolar mund të shihet te të luajturit shumë ndeshje: “Luhet shumë, shumë. Ne gjithashtu i kemi sytë nga Kupa e Botës në mes të sezonit, si në Katar. Tashmë yjet luajnë në një nivel krejtësisht të ndryshëm. Situata është e tillë, madje do të përkeqësohet sezonin e ardhshëm me Kupën e Botës për Klube. Angazhimet do të jenë gjithnjë e më të mëdha”.

A i mungon Italisë figura e trajnerit federal?
Vlerësimi im për Spallettin është i madh. Ky Europian ishte negativ nga të gjitha këndvështrimet për Italinë, trajneri nuk kishte gjithë kohën që i duhej në dispozicion, sidomos për të kuptuar karakteristikat e grupit të lojtarëve që dispononte. Po flasim për një brez që po rindërton me vështirësi një cikël. Besoj se Spalletti do të rikthehet në shtator me ide shumë të qarta dhe ‘kostum taktik’ të qepur, atë që nuk arriti ta gjente në 14 ndeshjet e tij të para. Ai gjithashtu do të bëjë disa zgjedhje jo popullore dhe të dhimbshme. Pra, të jeni të sigurt se Spalletti do ta gjejë çelësin e problemit.

Prekja e topit me dorë nga Cucurella nuk u sanksionua prej arbitrit Taylor gjatë Spanjë-Gjermani…
Do të kishte një temë për t’u hapur për ‘hendbollin’, sepse mbetet i vetmi problem i madh për t’u objektivizuar në futboll. Më shumë se episodi, ajo që nuk më bindi ishte vrapimi i kryesorit anglez në atë ndeshje. Nëse bëjmë një krahasim me Orsaton, ‘bilbili’ ynë është i jashtëzakonshëm me gjuhën e tij trupore, në komunikimin me lojtarët dhe rrjedhimisht në kontrollin e lojës. Taylor nuk është bindës në menaxhimin e tij të gjithanshëm të lojës. Unë e konsideroj kandidaturën e mundshme të Taylor për finalen të largët dhe jomeritokratike.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit