José Mourinho, që sezonin e ri do të drejtojë ekipin turk të Fenerbahce, ka bërë një analizë të Kampionatit Europian të Futbollit, që tashmë poi afrohet fundit të tij. Në një intervistë për “Sport TV”, trajneri portugez ka analizuar eliminimin e vendit të tij.
“Mendoj se potenciali i skuadrës portugeze ishte shumë i lartë. Nuk kam gabuar shumë kur bëra parashikimin tim dhe thashë se Portugalia, Franca dhe Anglia ishin favoritë. Dy prej tyre janë në gjysmëfinale”, tha Mourinho.
“Për mua, Spanja është surpriza më e madhe, duke pasur parasysh se si ekipi është rritur si ekip. Mendoj se për momentin, Spanja është skuadra që luan më mirë dhe që ka luajtur më mire këtë turne”, u shpreh më tej trajneri portugez.
“Portugalia nuk ishte një ekip fantastik në këtë turne edhe pse arriti në çerekfinale. Prisnim më shumë. Isha në stadium para fillimit të Kampionatit Europian, për të parë ndeshjen mes Portugalisë dhe Kroacisë dhe nuk ishte një ndjenjë e mirë”, tha më tej Mourinho.
Portugalia u eliminua me penallti nga Franca në këtë turne. “Në atë ndeshje miqësore nuk ndjeva emocione të mëdha. Gjatë turneut skuadra vazhdoi të ecë përpara, por pa bindur”, u shpreh Jose Mourinho.
“Në momentin e së vërtetës, Portugalia nuk ishte një nga skuadrat më të forta. Gjithsesi, është një skuadër e re, përveç dy veteranëve. Është një ekip që ka të ardhme përpara. Kupa e Botës është pranë nesh”, tha “special one”.