Humbja 2-1 në Varshavë nuk ishte thjesht një eliminim. Në fakt ishte një moment ku Shqipëria “flirtoi” me historinë, por nuk e kapi dot. Në thelb, Shqipëria nuk humbi nga loja në tërësi, por detajet dhe përvoja e penalizuan.
SA AFËR ISHTE SHQIPËRIA – Kuqezinjtë e Sylvinho vinin në këtë sprovë me identitet të qartë: ekip kompakt, agresiv në tranzicion dhe besim. Rrugëtimi deri këtu ishte pozitiv; kualifikimi në Europianin 2024 dhe një progres i dukshëm në mënyrën e lojës. Media e huaj, duke qenë me e distancuar dhe rrjedhimisht më objektive e pranon: Shqipëria ishte shumë pranë historisë, duke konkurruar seriozisht ndaj një kundërshtari me përvojë dhe cilësi më të lartë individuale (Polonia).

KUR U HUMB NDESHJA – Në pjesën e parë, Shqipëria ishte thuajse perfekte taktikisht. Dëshmoi organizim të shkëlqyer, mori avantazhin e merituar 1-0, pati kontroll emocional dhe disiplinë. Në pjesën e dytë erdhi momenti i kthesës. Kuqezinjtë treguan rënie fizike dhe psikologjike, çka u bë evidente nga efikasiteti i Polonisë me yje si Lewandowski dhe Zielinski. Pra, në 45 minutat e dyta, Shqipëria tregoi menaxhim jooptimal të avantazhit dhe mefshtësi në shfrytëzimin e dy rasteve të pastra për gol. Nëse njëri prej tyre do të ishte finalizuar nga Bajrami apo Pilo, ndeshja do të ishte mbyllur në favorin tonë.
KRITIKAT NDAJ SYLVINHO – Ka disa pika reale diskutimi. Sa i takon formacionit, ai vijon me besnikëri të madhe ndaj skemës së zakonshme 4-3-3, me pak fleksibilitet në momente krize. Plot dritë-hije shihen edhe zëvendësimet, mbrëmë u pa reagim i vonuar kur Polonia rriti ritmin. Pra, këtu del në pah mungesë impakti nga pankina e kombëtares, gjatë rrjedhës së lojës. Edhe menaxhimi i rezultatit çaloi, sepse Shqipëria u tërhoq shumë herët. Kësaj here mungoi cinizmi për ta mbyllur ndeshjen. Sidoqoftë, këto janë kritika të nivelit të lartë për brazilianin, jo për dështim struktural.
BILANCI I SYLVINHO – Duhet parë në tërësi, jo vetëm nga një ndeshje si e mbrëmshmja ndaj Polonisë. Trajneri brazilian e kualifikoi Shqipërinë në Europianin 2024, ka ndryshuar mentalitetin e ekipit kuqezi. Ka rritur konkurrueshmërinë ndaj ekipeve të mëdha, falë krijimit të një bërthamë solide lojtarësh. Edhe pas eliminimit të mbrëmshëm, puna e tij është vlerësuar pozitivisht nga mediat ndërkombëtare. Ky është progres real, jo rastësi. Nuk mjaftoi për të shkuar në Botërorin 2026, por meriton vlerësime.
A DUHET TË VAZHDOJË SYLVINHO – Po, por me kushte. Pse po? Sepse ka krijuar identitet loje, ka fituar besimin e grupit, ka sjellë rezultate konkrete. Pastaj, vazhdimësia në futboll është stërprovuar si pozitive, sidomos në drejtimin teknik të kombëtareve. Nisja e eksperimenteve nga e para me një trajner të ri vetëm sa do ta ngadalësonin progresin kuqezi, të paktën në kohë. Çfarë duhet të përmirësojë? Menaxhimin e ndeshjeve të mëdha, fleksibilitetin taktik, ndikimin nga pankina gjatë lojës.
Për të shkuar sërish në Europian dhe për të synuar Botërorin për herë të parë, Shqipëria duhet të ruajë bërthamën e grupit të lojtarëve, mos ta prishë stabilitetin, të thellojë organikën me alternativa reale në stol. Me rëndësi është rrritja e mentalitetit fitues. Ndeshje të tilla si ndaj Polonisë nuk duhen luajtur mirë, por fituar. Sylvinhos i duhet evolucion taktik, pra të ketë plan B dhe plan C në ndeshje të mëdha, jo vetëm një mënyrë loje.
KONKLUZIONI – Kjo humbje është e dhimbshme, por jep shpresa reale. Shqipëria nuk është më ekip që thjesht merr pjesë në kompeticion, por konkurron fort dhe afrohet me historinë. Dhe pikërisht këtu është sfida e radhës e kuqezinjve dhe Sylvinhos: të kalojnë nga “afër” në “brenda” historisë. Europianin e kemi provuar dy herë, ndërsa Botërori nuk është më një ëndërr e largët, por objektiv real që kërkon një hap më shumë…







