Për Joao Cancelo nuk do të ketë një eksperiencë të dytë me Juventus. Mbrojtësi portugez, në pronësi të Manchester City, i ka bërë të ditur klubit anglez se nuk dëshiron të vlerësojë asnjë opsion alternativ përveç Barcelonës, ku luajti sezonin e kaluar i huazuar.
Sipas asaj që raporton “Sport”, ish-lojtari i Juventus ka shprehur synimin e tij për të qëndruar në Katalonjë edhe sezonin tjetër. kështu, portugezi ka hedhur poshtë mundësinë e një rikthimi në Torino ku luajti për një sezon, 2018-19 (34 ndeshje e 1 gol me fanellën bardhezi).
Mediat spanjolle, duke folur për situatën kontraktuale të luzitanianit, në fakt kanë vënë në pah zgjedhjen e mbrojtësit të krahut për të ardhmen. Në bisedimet me “qytetarët”, Cancelo nënvizoi synimin e tij për të qëndruar te Barça, ndonëse në formë huazimi.
City është hapur ndaj një detyrimi për të blerë lojtarin, ndërsa klubi “blaugrana” preferon të drejtën për të blerë të lidhur me objektiva të caktuara. Anglezët do ta vlerësonin Cancelon me 25 milionë euro, shifër kjo që kishte tërhequr bardhezinjtë, me kërkesën e Thiago Motta. Por përgjigja e mbrojtësit ishte e qartë.