Alvaro Morata po përgatitet të bëhet qendërsulmuesi i ri i Milanit, por synimi i klubit kuqezi është që të tentojë të japë një goditje të dyfishtë për sulmin. Nëse Tammy Abraham i Romës është një hipotezë e ngritur nga drejtuesit, zgjedhja e parë të çon në Gjermani.
Më saktë, objektivi i kueqzinjve është sulmuesi i Borusia Dortmund, Niclas Füllkrug. Sipas mediave italiane, kontaktet e para me agjentët e qendërsulmuesit gjerman kanë qenë pozitive, duke çuar në njëfarë progresi në draftin e një negocimi.
Ardhja e Guirassy në Dortmund do t’i marrë pak hapësira sulmuesit gjerman. Ajo që dukej si një negociatë e largët për shkak të entuziazmit të Euro 2024, po merr konture gjithnjë e më interesante me kalimin e ditëve. Drejtuesit e Milanit kanë kontaktuar sërish me sulmuesin, duke konfirmuar interesimin për të mbyllur marrëveshjen.
Füllkrug është profili i preferuar në idetë e klubit kuqezi, por jo i vetmi. Një tjetër profil i vlerësuar me kujdes është ai i Jhon Duran i Aston Villas. Kolumbiani, 21 vjeç, ishte protagonist në Copa America dhe është jashtë planeve taktike të Unai Emery dhe vlerësohet rreth 20 milionë euro.