Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka adresuar thashethemet që e lidhin atë me vendin e lirë të punës, stolin e kombëtares së Anglisë. Siç qëndrojnë tani për tani gjërat, trajneri katalanas është nën kontratë me klubin nga “Etihad Stadium” vetëm deri në verën e vitit 2025. Ende nuk është rënë dakord për vazhdimin e kontratës, me Guardiolën që po iu afrohet 8 viteve të shërbimit besnik karshi kampionëve në fuqi të Premier League.
Ai ka fituar çdo trofe në dispozicion me Manchester City, duke përfshirë tripletën historike 2022-2023. Është folur që FA (Federata Angleze e Futbollit) është e interesuar për shërbimet e tij, duke e konsideruar si pasardhësin ideal të përhershëm të Gareth Southgate.
Guardiola mund të pranojë të marrë frenat e “Tre Luanëve” verën e ardhshme, pasi Lee Carsley mban detyrën e përkohshme deri atëherë. Megjithatë, trajneri 53-vjeçar iberik i tha programit televiziv italian “Che Tempo, Che Fa”, kur u pyet për lidhjet me “Tre Luanët”: “Jo, ato thashetheme nuk janë të vërteta. Nëse do të kisha vendosur diçka, do ta thoja. Sidoqoftë, unë mund të bëj gjithçka në futboll”.
Guardiola është një nga disa emra të lidhur me postin vakant të stolit të Anglisë, me trajnerin aktual të Newcastle, Eddie Howe dhe ish-trajnerin e Chelsea, Thomas Tuchel, gjithashtu kandidatë.