A është ky Milan, model për Juven? Ja përgjigja befasuese e Allegrit

22 Janar 2022
12:56
Alfred Lleshi
back button

Massimiliano Allegri foli në prag të ndeshjes Milan-Juve në “San Siro”, që mund të strehojë deri në 5000 spektatorë. Në lidhje me këtë, trajneri bardhezi tha: “Do të ishte mirë që këto ndeshje të luheshin në një stadium të mbushur, por tani nuk është e mundur. Është gjithmonë Milan-Juve, edhe kësaj here sfidë mjaft e rëndësishme për klasifikimin”.

Lidhur për formacion, ai shtoi: “Të gjithë janë mirë, përveç Bonucci dhe Ramsey. Sot do të vlerësoj seancën e fundit stërvitore dhe të vendos për formacionin”.

Komplimente vijnë edhe për trajnerin e kuqezinjve, Stefano Pioli, për atë që po bën dhe jo vetëm këtë vit. Titulli për Juven tani është zhdukur, por ka një qëllim tjetër madhior: zona e Champions-it: “Ne duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Nuk duhet të mendojmë për kampionatin apo vendin e katërt. Në fund do të shohim ku mund të arrijmë”.

Max Allegri lartëson Milanin dhe Piolin: “Të marrim tri pikët nesër nuk do të jetë e lehtë. Milani luan mirë, di të bëjë mirë si me topa të lartë, ashtu edhe në kundërsulm. Ka marrë shumë rezultate të mira dhe po lufton për titull. Ne po përpiqemi të qëndrojmë afër katërshes së parë. Nuk jemi përshirë ende mes katër më të mirëve? Ndoshta nesër është koha e duhur…”

Ekziston edhe pyetja e zakonshme për Dybala: “Ai është shumë i qetë, fizikisht ndihet mirë dhe po rritet. Paulo është më i lirë për të luajtur dhe ka më pak përgjegjësi mbi të. Jam i kënaqur me çfarë po bën. Që tani deri në fund të sezonit do të na japë shumë”.

A është Milani një model për Juven? Ja si përgjigjet trajneri bardhezi: “Milani ka punuar mirë, ka përzgjedhur lojtarët e duhur, që po bëjnë diferencën. Juventusi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm për 9 vite. Edhe sezonin e kaluar fitoi dy trofe dhe u kualifikua në Ligën e Kampionëve.

Këtë vit, Ronaldo u largua dhe u fokusuam te një grup më i ri, që duhet të rritet në përvojë. Kemi luajtur ndeshje me gjashtë lojtarë nga mosha 20 deri në 23 vjeç në formacion. Lojtarët e rinjtë shtojnë forcën, por atyre iu mungon eksperienca. Mund të përmirësohesh vetëm duke luajtur ndeshje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit