Toni Rudiger është makthi i qendërsulmuesve në Champions League. Këtë e di mirë bashkëkombasi i tij, Niclas Fullkrug, i cili të shtunën është gati t’ia bëjë sa më të vështirë detyrën në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, finalen e Champions League, që do të luhet në “Wembley”.
“Ai është një djalë i mirë, e dua, më pëlqen. Antonio është shumë i sinqertë, edhe pse duket agresiv. Ai është një lider i natyrshëm, më pëlqen të luaj kundër këtij lloji kundërshtari”, – tha sulmuesi verdhezi në intervistën e gjatë për “Marca”.
A jeni të impresionuar nga 14 Ligat e Kampioneve të fituara nga Real Madridi?
Mund të thuhet se Real Madridi është skuadra më e fortë në botë, me një histori gjigante, por pikërisht kjo e bën këtë finale më tërheqëse. Të gjithë duan t’i luajnë këto ndeshje. Do të jetë një finale e bukur, perfekte, në një stadium historik.
Reus do të largohet nga Dortmundi dhe Kroos do të tërhiqet nga futbolli…
Dy karriera të pabesueshme, dy legjenda. Të dy e meritojnë ta fitojnë finalen e 1 qershorit. Normalisht do t’ju thosha se edhe Kroos e meriton Champions League, për mua është një nga lojtarët më të mirë në histori. Këtë herë shpresoj që Marco ta fitojë.
Pra, a do të nënshkruanit që Ligën e Kampionëve ta fitonte Reus, ndërsa “Topin e Artë” ta merrte Kroos?
Ajo që do të firmosja do të ishte Liga e Kampionëve për Reus dhe Kampionati Europian për Kroos, kështu që do t’i fitoja të dy titujt vetë (qesh).