“A jeni penduar që nuk keni shkuar të drejtoni kombëtaren e Brazilit?” Kjo ishte një nga pyetjet që iu bë Carlo Ancelottit në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së kampionatit kundër Osasuna. Real Madridi i tij shpreson të dalë nga një moment shumë i komplikuar, pas humbjeve në shtëpi ndaj Barcelonës dhe Milanit.
Kjo ishte përgjigja e trajnerit italian, i cili u duk thuajse ironik: “Faleminderit që më bëni të qesh, edhe pse nuk është koha për të qeshur, sepse po kalojmë një periudhë delikate. Është koha për të menduar dhe mbi të gjitha për të vepruar.
Nuk pendohem për asgjë, vazhdoj ta shijoj çdo ditë të punës sime në Valdebebas. Do ta vlerësoj gjithçka që do të përjetoj këtu, deri në fund. Është një moment i vështirë, por jam i lumtur ta kaloj kohën time këtu, në klubin më të mirë në botë”.
8 gola dhe 2 asiste në 15 ndeshje të këtij sezonit, një përshtatje e vështirë, sidomos në lidhje me pozicionin e ri që po mban në “Bernabeu”. Kylian Mbappé nuk po performon siç e prisnin të gjithë, si qendërsulmues, ndaj ka përfunduar në bankën e të akuzuarve pas humbjeve ndaj Barcelonës dhe Milanit. Dy humbje në shtëpi, që sollën zhgënjim të madh te Real Madridi.
Megjithatë, Carlo Ancelotti nuk është i shqetësuar. Në prag të ndeshjes kundër Osasuna, deklaroi: “Kylian po stërvit mirë, po kalon një moment të vështirë si të gjithë ne. Dhe si të gjithë, duhet të mendojë se kjo është një mundësi për të treguar personalitet.
Po flasim për një moment të vështirë nga i cili mund ta dalim shpejt, nëse tregohemi inteligjentë, duke qenë më shumë të përqendruar. Unë jam i bindur se Mbappe do t’ia dalë, ashtu si Vinicius, Rodrygo, Belingham. Edhe për mua është një kohë e vështirë, por nuk jo e pazakontë për një sport si ky, ku ekziston edhe humbja, si pjesë e tri rezultateve të mundshme”.