Adriano Galliani, për herë të katërt në altar. Martohet 80 vjeç me partneren 23 vite më të re se vetja

10 Shtator 2024
11:56
Alfred Lleshi
back button

Adriano Galliani, CEO aktual i “Monza Calcio”, po përgatitet të bëjë dasmë. Në moshën 80-vjeçare (i mbushi korrikun e kaluar), drejtori i njohur sportiv italian vendosi të martohej me partneren e tij Helga Costa, të cilën e ka në krah prej më shumë se 13 vitesh. Publikimet e dala në tabelën e njoftimeve të Bashkisë së Milanos, qyteti i banimit të çiftit, zbulojnë se data e celebrimit ishte dje, 9 shtator.

“Po”-ja fatale mes Adriano Gallianit dhe Helga Costa u dëgjua në dhomën e këshillit të bashkisë së Monza, vendlindja e ish-drejtorit ekzekutiv të Milanit. Ceremonia ishte intime dhe sipas riteve civile. Mes dëshmitarëve të zgjedhur nga çifti, sipas “Dagospia”, ishin Gigi Marzullo, miku historik i Gallianit, dhe Cristina Rossello, avokate e besuar e familjes “Berlusconi”, deputete e “Forza Italia”.

Adriano Galliani e Helga Costa

Për ngjarjen e madhe, dasmën, Galliani dhe Costa kanë zgjedhur një vend të jashtëzakonshëm. Pritja do të mbahet në “Villa Gernetto”, një rezidencë historike e vendosur në Gerno, fshat i Lesmo, në provincën e Monza dhe Brianza. Një vilë madhështore neoklasike, e ndërtuar në shekullin e 18-të, e cila u ble nga Silvio Berlusconi në vitin 2007 dhe falë restaurimit të përpiktë i është kthyer lavdisë së dikurshme.

Ajo me Helga Costa nuk është hera e parë në altar për Adriano Gallianin. Nga martesa e tij e parë pati tre fëmijë; Micol, Gianluca dhe Fabrizio. Më pas, në vitin 1989, u martua me Daniela Rosati, fytyrë e njohur në televizionin e asaj kohe. Martesa e tyre zgjati 10 vite, deri më 1999.

Adriano Galliani e Helga Costa

Pas divorcit nga Rosati, Galliani u rimartua në vitin 2004 me Malika El Hazzazi, një modele me origjinë marokene, por u divorcua 4 vite më vonë. Në vitin 2011, Helga Costa mbërriti në jetën e menaxherit nga Brianza dhe që atëherë fatet e tyre nuk janë ndarë më.

Helga Costa, 57 vjeçe, me origjinë braziliane, por me kombësi spanjolle, është gruaja që ka qenë në krah të Adriano Gallianit për më shumë se 13 vite. Ajo është tejet e rezervuar, aq sa nuk ka as profil në rrjetet sociale. Galliani në një intervistë të disa viteve më parë e cilësoi si “pikë referimi për familjen time, fëmijët e mi, veçanërisht vajzën time”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit