Agjenti i Modric “vulos” të ardhmen e 39-vjeçarit kroat: Më shumë gjasa Luka do të….

18 Maj 2024
9:46
Alfred Lleshi
back button

E ardhmja e Luka Modric bëhet e qartë. Siç ka treguar “MARCA”, deri para pak ditësh Real Madridi nuk kishte bërë asnjë lëvizje, duke menduar për vazhdimësinë e kroatit apo Toni Kroos. Por ky skenar ka ndryshuar, klubi ka ndërmarrë hapa drejt rinovimit të të dyve dhe ato fara kanë filluar të japin fryte, të paktën në rastin e Luka.

Nëse një javë më parë agjenti i Modric, Vladica ‘Vlado’ Lemic, siguroi se “deri më tani nuk ka asgjë të qartë për të ardhmen e Modric te Real Madridi”, pas disa ditësh bisedime, edhe pozicioni i tij ka ndryshuar. Në një prononcim për median arabe “Kooora”, përfaqësuesi i futbollistit kroat tashmë ‘parashikon’ rinovimin e tij me madrilenët.

“Me shumë gjasa do të qëndrojë edhe një vit në Madrid për të vazhduar ta shkruajë historinë, – thotë Lemic. – Real Madridi është klubi më i mirë në botë dhe udhëhiqet nga presidenti më i mirë në historinë e futbollit. Luka Modric është tifoz i Real Madridit, e do klubin e bardhë dhe e konsideron atë shtëpinë e tij”.

Edhe pse roli i tij në skuadër ka ndryshuar, nuk konsiderohet më titullar i padiskutueshëm, siç ka qenë për kaq shumë sezone, Modric është përshtatur me statusin e këtij sezoni. Ai ka luajtur 43 ndeshje deri më sot, ka fituar trofeun e tij të 25-të (me titullin e La Liga-s) dhe mund të kurorëzohet fitues i Ligës së Kampionëve për herë të gjashtë, më 1 qershor.

Në shtator ai do të mbushë 39 vjeç. Nëse pranon ofertën që i vjen nga Real Madridi, kroati do të ketë mundësi të shtojë rekorde të tjera dhe të mbajë shiritin e kapitenit, pas largimit të Nacho në verë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit