Lamine Yamal nuk ndalet asnjëherë, ndaj pritet që të luajë të mërkurën nga minuta e parë në ndeshjen që Barcelona do të luajë në La Liga kundër Getafes. Sfida është e vlefshme për javën e shtatë në kampionat.
Trajneri Hansi Flick e bëri të ditur praninë e 17-vjecarit në fushë në konferencën për shtyp: “Do të shohim nëse do të pushojë apo jo. Për momentin nuk duket se ka nevojë. Ai është mirë dhe ndihet mirë”.
“Gjithsesi, ne do ta vlerësojmë gjendjen e tij, por unë mendoj se do të jetë në fushë, pasi edhe ai ka nevojë të luaj. Ne do të luajmë në shtëpi dhe duhet ta fillojmë mirë ndeshjen, me formacionin më të mirë”, tha Flick.
Më tej, trajneri i katalanasve shtoi: “Yamal po bën gjëra të pabesueshme, ashtu si edhe lojtarët e tjerë. Ne duhet të vazhdojmë me këto lojëra”.
“A është Yamal më i miri në botë? Unë besoj se cilësia nuk ka të bëjë fare me moshën. Në moshën e tij ai po bën gjëra të pabesueshme, ai mund të bëhet më i miri në të ardhmen. Jam 100% i sigurt për këtë”, tha Flick.