Kombëtarja jonë kuqezi ka nisur sot grumbullimin dhe përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese të këtij muaji, në kuadrin e Ligës së Kombeve. Të parët që kanë dalë në konferencë për shtyp, në funksion të sfidave jashtë fushe ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë, kanë qenë Arlind Ajeti dhe Ardion Pajaziti.
I pari është kthyer me fanellën kuqezi pasi mungoi prej dëmtimit në dy ndeshjet e para të shtatorit, duke e kompensuar deri diku mungesën e kapitenit Berat Gjimshiti. Para gazetarëve, shtatlarti i prapavijës kuqezi do të shprehej mes të tjerash:
“A mund të dalë Shqipëria me pikë të plota nga dy sfidat në transfertë, sado e vështirë që duket? Është akoma herët për të folur për këtë, megjithatë kemi kualitet dhe mund t’ia dalim ndaj çdokujt. I dimë cilësitë e Çekisë, me të cilën kemi luajtur 2 herë kundër, gjeorgjianët luajnë një futboll shumë të shpejtë. T’ia lëmë fushës, le të shohim si do dalim.
Atmosfera në grumbullim? Nuk kanë arritur akoma të gjithë lojtarët, por me stafin që kemi do të përgatitemi maksimalisht. Nuk do të jetë e lehtë, por shpresojmë t’i marrim 3 pikët ndaj Çekisë si fillim. Pastaj do të mendojmë për Gjeorgjinë.
Ndihem mirë në Superligën Turke, por nuk krahasohet me ndeshjet e kombëtares dhe ato në Europian, që kanë shumë emocione. Unë besoj se shumë herë nuk kam qenë i ftuar në kombëtare prej lëndimeve ose prej klubit ku jam aktivizuar, por sa herë kam luajtur e kam bërë me pasion. Shpresojmë të kemi sa më shumë sukses. Çdo ndeshje do të jetë vendimtare, por të shohim njëherë si do t’ia dalim me Çekinë.
Mungesa e kapitenit? Gjimshiti do të jetë një mungesë e madhe për ne, edhe si lojtar, edhe si person. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka vetem të fitojë kombëtarja. Besoj që ndeshjet e Europianit japin një impakt të madh te lojtarët, shtojnë eksperiencën.
Shqipëria i ka cilësitë për t’i fituar të dyja ndeshjet, mbi të gjitha duhet të besojmë se do t’ia dalim. Jam shumë i lumtur për formën e çdo lojtari të thirrur, konkurenca në kombëtare është e fortë. Në fund vendos trajneri për titullarët”.