Alarm koronavirus para Australian Open, 600 vetë sërish në izolim, pezullohen eventet

3 Shkurt 2021
16:07
Telesport
back button

Rikthehet alarmi i Covid-19 në Australian Open. Rreth 600 persona, mes të cilëve tenistë dhe organizatorë të këtij turneu, janë futur sërish në karantinë. Gjithçka ndodhi për shkak të një rasti me koronavirus, që ka prekur një punonjës të hotelit “Grand Hyatt Hotel” në Melburn.

Ai është një nga tre hotelet ku janë strehuar gjatë karantinës së mëparshme tenistët. Për pasojë, organizatorët e Australian Open kanë vendosur të izolojnë sërish të gjithë deri sa të gjithë testet anti-Covid të dalin negativë.

Tamponët do të kryhen gjatë ditës së nesërme dhe për momentin të gjitha turnetë që ishin parashikuar të organizoheshin në “Melburne Park” janë pezulluar pa afat (ditët në vijim në këtë zonë do të luheshin 6 turne të ndryshme në prag të Australian Open).

Grand slam i Australian Open do të nisë më 8 shkurt, ndaj ditët e mbetur anë dispozicion për të rikthyer normalitetin janë shumë pak. “Për momentin ky rast i koronavirus nuk ka asnjë impakt në turne dhe nuk duhet të alarmohemi. Gjithsesi, ne kemi ngritur shqetësimin për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë”, tha guvernatori i shtetit të Victoria, Daniel Andrews.

Mësohet se personi pozitiv me koronavirus është një i ri 26-vjeçar që punon në hotel dhe gjasat janë që ai të jetë infektuar me variantin anglez të Covid-19.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit