Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi doli sot në një konferencë për mediat ku foli për kualifikueset e Europianit 2025 dhe analizoi skuadrën e tij në këto eliminatore. Tekniku kuqezi e konsideroi sukses grumbullimin e 16 pikëve përgjatë këtij edicioni si edhe kalimin e shumë elementëve nën-21 vjeçarë tek ekipi kombëtar A.
Ndër të tjera, trajneri Bushi foli edhe për të ardhmen e tij dhe të ekipit Shpresa, duke nënvizuar se kjo skuadër do të jetë në çdo sezon favorite për t’u kualifikuar.
Trajneri kuqezi vlerësoi edhe punën e bërë nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare dhe Drejtoria Teknike e FSHF-së, ndërsa komentoi me nota shumë pozitive kandidaturën e përbashkët të FSHF me Federatën Serbe për të organizuar kampionatin e U-21 në 2027, duke thënë se Shqipëria përfiton shumë nga ky kampionat.
Edicioni kualifikues “EURO 2025” – Nuk mund të them që pritshmëritë ishin më të mëdha. Patjetër që ne bëmë mirë këtë edicion. Ishte edicion emocionues dhe ka pasur shumë surpriza. Kundërshtarët ishin shumë të fortë, grupi ka qenë shumë i ekuilibruar dhe e mbyllëm në vendin e katërt. E nisëm mirë me dy fitore në Armeni dhe me Rumaninë. Pas këtyre fitoreve u rritën më shumë shpresat për kualifikim, por gjithsesi ne e dinim që do të ishte e vështirë. E mbyllëm mirë edicionin me dy fitore, por nuk patëm vazhdimësi gjatë saj . Për t’u kualifikuar duhet të kesh vazhdimësi dhe kjo vjen nga grupi i lojtarëve që ke. Nuk është se kemi pasur një grup të gjërë lojtarësh cilësor. Kemi pasur pak, pjesa tjetër ka qenë plotësuese për ekipin. Ndërsa kundërshtarët si Zvicra apo Rumania janë në nivel të jashtëzakonshëm përsa i përket grupit të lojtarëve, kjo bëri dhe diferencën në fund. Në mes të edicionit na kanë penalizuar shumë gjëra, si largimi i disa lojtarëve te ekipi A dhe dëmtimi i tyre. Cristian Shpendi na ka prishur shumë punë, u dënua tre ndeshje nga kartoni i kuq dhe nuk ishte për ndeshjen me Malin e Zi që na ka ngelur pishman sepse sot do të ishim të dytët.
Organizimi i Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 në Shqipëri- Me duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë kampionatin europian, nëse vendoset të bëhet. Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Conference League. Nuk i di të gjitha detajet, por është kampionat europian dhe Shqipëria ka shumë përfitime.
Lojtarët e ftuar nga ekipi Kombëtar A – Kombëtarja A ka gjithmonë prioritet për të marrë çdo lojtarë nga ekipi U-21 dhe kualifikimi jonë shkon nga kjo rrugë. Ekipet e tjera si Zvicra, Finlanda dhe Rumania i marrin lojtarët më të mirë dhe i zbresin poshtë. Kemi rastin e Zvicrës që mori Ardon Jasharin dhe një tjetër për të na mundur ne. Ndërsa te ne funksionon ndryshe pasi Shqipëria është një ekip modest që ka bërë shumë hapa gjigant në futboll vitet e fundit si ekipi A dhe shpresat. Ju e dinit shumë mirë që deri dje vendin e fundit dhe të parafundit e kishim të sigurt dhe pas ndeshjes së tretë humbte çdo shpresë për t’u kualifikuar, ndërsa tashmë janë rritur objektivat dhe kjo falës punës të bërë mirë nga Drejtoria e ekipeve Kombëtare, nga skautët tanë në Europë dhe të gjithë stafet. Tani kemi pretendime për të mundur ekipe si Zvicra, Rumania dhe Finlanda që është një diferencë shumë e madhe. Ekipi A ka marrë shumë lojtarë nga ne dhe mbase na ka penalizuar. Mund të them rastin në ndeshjen me Malin e Zi që kishim shumë nevojë për lojtarë, pasi nuk kishim të drejtë ndërrimi dhe na u donte shumë Medon Berisha, por ekipi A kishte dy ndeshje miqësore me Suedinë dhe Kilin. Na penalizoi sepse mund të fitonim atë ndeshje dhe e humbëm në minutën e 92-të. Ai tre pikësh ishte determinant për vendin e dytë.
Kush nga lojtarët do të ketë një karrierë të mirë me Kombëtaren A? – Feta Fetai dua të them që është një lojtar që i duhet çdo trajneri dhe mbase nuk është lojtar i bukur për t’u parë në kuptimin që mund të bëjë gola, por është një lojtar që i duhet çdo trajneri në nivele të larta. Gjithashtu, Pajaziti është një lojtar i jashtëzakonshëm me shumë potencial, ka shumë vizion për lojën dhe i mungon vetëm përgatitja fizike që e ka rritur shumë vitin e fundit. Po ashtu, Medon Berisha është lojtar i nivelit shumë të mirë, vendos ekuilibër në mesfushë. Gjithashtu edhe Bajrami, qendërmbrojtës i majtë shumë i mirë dhe pres shumë nga ai. Duhet të shkojë në një ekip që të marri minuta. Është shumë inteligjent, i mirë me topin dhe luftën në ajër e ka shumë të mirë. Janë lojtarë që mund të jenë shumë të fortë për Shqipërinë. Nga më të mirët mendoj që Fetai, pasi ka energji shumë pozitive është shumë i mirë dhe mendoj që do të bëjë shumë mirë.