Alena Seredova, gjatë një interviste në emisionin “Verissimo”, iu përgjigj pyetjes për deklaratat e fundit të ish-bashkëshortit të saj, Gigi Buffon. Ish-portieri kishte pranuar se ndjehej keq për dhimbjen që i kishte shkaktuar Alenës gjatë periudhës së ndarjes së tyre. Seredova u përgjigj qartë: “Ka thënë që i vjen keq? Do të ishte çudi nëse jo”.
Çifti ishte i lidhur nga viti 2005 deri më 2014 dhe kanë dy fëmijë së bashku: Louis Thomas (2007) dhe David Lee (2009). Kur Silvia Toffanin e pyeti nëse kishte lexuar librin e Buffon-it, Alena tha me një buzëqeshje ironike: “E prisja këtë pyetje. Çfarë mund të ketë aty që unë nuk e di? Kam qenë pranë atij njeriu për 10 vite. Kam kaluar me të gjithçka; nga fitoret deri te rëniet. Nuk besoj se do të gjej një kapitull që mund të më habisë”.
Pas ndarjes nga Buffon, Alena ka rigjetur lumturinë pranë Alessandro Nasi, me të cilin është lidhur më 2015. Çifti u martua më 2023 dhe kanë një vajzë së bashku, Vivienne Charlotte, të lindur më 2020. Ndërkohë, Buffon ka krijuar një familje të re me Ilaria D’Amico, me të cilën ka djalin Leopoldo Mattia (2016).
Edhe pse ka ndërtuar një jetë të re, Seredova mbetet e qartë për qëndrimin e saj ndaj “familjeve të zgjeruara”. “Kjo është jashtë natyrës sime, – deklaroi ajo. – Nuk kam ndryshuar mendim. Kam ide të qarta për vlerat e mia dhe koncepti i një familjeje të zgjeruar nuk përfshihet tek ato”.
Gjatë intervistës, Alena foli edhe për rikuperimin e formës fizike, duke treguar se ka humbur më shumë se 10 kilogramë. Modelja dhe aktorja pranoi se kishte kaluar një problem me tiroiden gjatë shtatzënisë së fundit: “Më janë thënë gjëra shumë të rënda, si p.sh., që isha si një balenë. Nuk kuptohet se prapa një pamjeje fizike mund të ketë një problem shëndetësor”.