Alisha Lehmann, 11 herë më e njohur se Douglas Luiz: Ne bëjmë të njëjtën punë, por ai fiton 100 herë më shumë

17 Shtator 2024
9:23
Alfred Lleshi
back button

Alisha Lehmann, pjesë e Juventusit, një nga futbollistet bukuroshe më të përfolura në botë, me më shumë se 17 milionë ndjekës në Instagram dhe 10 milionë në TikTok, është ankuar për diferencën e pagës në krahasim me të dashurin e saj, Douglas Luiz. Edhe ky i fundit është lojtar i Juventusit, me “vetëm” 1.5 milionë ndjekës në Instagram, por që merr 8.5 milionë euro pagë në sezon.

Alisha Lehmann

“Të gjithë do të donin të kishin të njëjtën pagë. Unë shpesh flas me Douglas në shtëpi për këtë dhe i them se nuk është e drejtë. Ne bëjmë të njëjtën punë, por t’i paguhesh 100 herë më shumë se unë, – shpjegon bukuroshja zvicerane në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

– Është diçka që më prek mua, sepse jam femër. Natyrisht, rruga që kemi përpara ka ende shumë për të bërë, sepse ndoshta nuk do të kemi kurrë paga të barabarta. Do të duhet të ketë një vullnet shumë të fortë për të bërë një ndryshim në këtë drejtim”.

Alisha Lehmann, e cila gjithashtu luajti për Aston Villa në të njëjtën kohë me brazilianin Douglas Luiz, këmbënguli se situata “nuk është e drejtë”: “Nëse dikush vjen tek unë dhe bën shaka për futbollin e femrave, gjithmonë e pyes: A keni parë ndonjëherë ndonjë ndeshje?

Shumica thonë jo, sepse kur shikon një ndeshje tonën e kupton se sa të mira dhe të pasionuara jemi. Nuk e di pse njerëzit ende mendojnë kështu. Është viti 2024 dhe ndoshta disa jetojnë ende pas maleve ose pemëve, nuk e di”.

Lehman donte ta bënte të qartë se e zgjodhi Juventusin për të fituar. Për mënyrën e saj të jetesës, Alisha Lehmann ka shpjeguar: “Unë nuk jetoj si yll, por si gjithë të tjerët. Kur njerëzit të shohin në rrjetet sociale mendojnë se bën një jetë ndryshe, por nuk është kështu. Unë bëj një jetë normale, shkoj në shtëpi, gatuaj, bëj të njëjtat gjëra si gjithë të tjerët”.

Në lidhje me ndikimin e saj miliona dollarësh në rrjetet sociale, futbollistja më e njohur në botë tha: “Rrjetet sociale janë një mënyrë për të treguar futbollin, por edhe jetën. Unë i kam përdorur edhe për të promovuar futbollin anglez”.

Në vitin 2022, Alisha Lehmann dhe Douglas Luiz u ndanë më pak se një vit pasi konfirmuan lidhjen e tyre romantike. “The Sun” raportoi se të dy i dhanë fund lidhjes së tyre romantike për shkak të një debati mbi pjesëmarrjen e famshme të Alisha Lehmann në kalendarin e tyre zyrtar të vitit 2023, në të cilin ajo bëri edhe poza seksi.

Ata u pajtuan një vit më vonë, duke pozuar të përqafuar dhe të buzëqeshur. Para se të dilte me Douglas Luiz, bukuroshja Alisha Lehmann kishte një lidhje romantike me kolegen e saj të futbollit, Ramona Bachmann. Historia e dashurisë së Ramona Bachmann dhe Alisha Lehmann, e cila përfundoi më 7 mars 2021, u bë objekt dokumentari i BBC-së.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit