Allegri bëhet “mister 500” ndaj Lazios: Kualifikimi në Champions kërkon 70 pikë

29 Mars 2024
12:13
Alfred Lleshi
back button

“Unë tashmë e kam ngrënë vezën e Pashkëve, sepse nuk më mungon asnjëherë çokollata çdo ditë…” Massimiliano Allegri gjen ironinë e kohëve më të mira për të provuar të dalë nga momenti i vështirë. Vetëm një fitore në 8 ndeshjet e fundit, me vetëm 7 pikë të grumbulluara. Juventusi e rinis kampionatin kundër Lazios, kundërshtar dy herë në 4 ditë, mes Serie A dhe ndeshjes së parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Nesër e nis me kampionatin, në shtëpinë e bardhekaltërve.

“Kundër Lazios, – nënvizon trajneri bardhezi, – nis sprinti final. Do të gjejmë një Lazio pak më ndryshe nga ajo e Sarrit. Tudor bëri shumë mirë në Marsejë dhe ndryshimi i trajnerit sigurisht që do t’i japë diçka skuadrës bardhekaltër. Duhet të jemi gati dhe të luajmë mirë teknikisht. Lazio ka shumë lojtarë cilësorë, nga Felipe Anderson te Luis Alberto”.

E ARDHMJA – Allegri shtyn bisedimet për të ardhmen, teksa është i fokusuar tek e tashmja dhe sprinti final i Juventusit: “E ardhmja ime? Jam i lumtur që klubi ka ripërtërirë besimin tek unë, por nuk kisha asnjë dyshim. Fjalët e Scanavino më bënë të lumtur. Klubi po planifikon, por tani duhet të mendojmë ekskluzivisht për të tashmen.

Duhet të jemi realistë, kemi shpërdoruar shumë pikë rrugës, në fazën e dytë grumbulluam vetëm 13 pikë. Tani duhet të rikthehemi rezultateve pozitive për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve. Vendi i dytë, i tretë apo i katërt? Kanë mbetur edhe 9 ndeshje dhe duhet të marrim sa më shumë pikë.

Skuadra duhet të qëndrojë e qetë, është normale që kur mungojnë rezultatet duhet të bëjmë diçka më shumë për të rifituar entuziazmin. Këto 55 ditë të mbetura duhet të jenë stimul për të gjithë ne, për të arritur objektivin e Kupës së Italisë dhe rikthimin në Europë, që ka rëndësi. Për t’u kualifikuar në Champions League do të nevojiten 70 pikë”.

SITUATA – Nesër në Romë, me sulmin në emergjencë. Vlahovic është i skualifikuar, ndërsa Milik ende i pamundur për shkak të dëmtimit. Megjithatë, Allegri sheh nga pjesa tjetër e skuadrës: “Pres shumë nga Kean, i cili do të startojë kundër Lazios dhe do të bëjë mirë. Ai ishte në prag të largimit në merkaton e janarit, por javët e fundit është rikthyer në formë fizike dhe do të dëshirojë ta mbyllë mirë sezonin, edhe për të shkuar në Kampionatin Evropian. Chiesa dhe Yildiz gjithashtu po bëjnë mirë”.

MAX 500 – Një gjë është e sigurt, në “Olimpico”, trajneri Allegri do të rrumbullakosë 500 ndeshje në Serie A: “Po bëhem i ri në një mënyrë tjetër, por gjithmonë kam pasion të madh për këtë zanat. Jam i kënaqur me atë që kam përjetuar, por kam ende një dëshirë të madhe për të qëndruar në fushat e blerta”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit