Allegri “infekton” Europën, një tjetër gjigant përgatit shkarkimin e trajnerit

17 Maj 2019
14:29
Alfred Lleshi
back button

Niko Kovac do të shkarkohet si trajner i Bayern Munich këtë verë, pavarësisht se si do ta mbyllë këtë sezon, edhe me dy trofe. Kështu shkruan “Goal” dhe “Spox”. Dhe të mendosh se kroatit iu dorëzuan frenat e drejtimit të gjigantëve bavarezë vetëm gjatë verës së vitit 2018. Pasi kishte impresionuar me punën e tij në stolin e Eintracht Frankfurt, ish-mesfushori i Bayernit u kthye në një mjedis të njohur. 

Sidoqoftë, ai u eliminua herët nga Liga e Kampionëve, çka duket e pafalshme për drejtuesit e klubit, ndërsa një numër lojtarësh në “Allianz Arena” besohet se janë kundër tij. Trajnimi i Kovac konsiderohet të jetë monoton, çka ka çuar në mosmarrëveshje brenda skuadrës. Pra, aftësitë taktike të trajnerit janë vënë në dyshim.

Zhgënjimi europian në duart e Liverpool-it është parë si një shembull se Bayerni nuk ka fleksibilitet në sistemin e lojës së vet. Drejtori Karl-Heinz Rummenigge besohet se ka pasur probleme me Kovac për njëfarë kohe, ndaj presidenti Uli Hoeness, duke parë të gjitha këto fakte, duket se është bindur për vendimmarrjen. Barazimi 1-1 me Nurnberg, më 29 prill, ishte prova e fundit, që e mbushi kupën për bordin drejtues të bavarezëve. 

Alternativa e kroatit do të kërkohet gjatë verës. Ish-mesfushori i Bayernit, Mark van Bommel, i cili aktualisht po punon me PSV në Holandë, konsiderohet favorit. Po ashtu, trajneri i Ajax, Erik ten Hag, është gjithashtu në radarët e gjigantëve të Bundesligës, pas një sezoni të paharrueshëm 2018-2019, që e mbylli me du trofe kombëtarë dhe një paraqitje të jashtëzakonshme në Ligën e Kampionëve, deri në gjysmëfinale. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit