Allegri-Juventus, “martesa” e dytë e dështuar. Sfondi i një lamtumire të paralajmëruar

17 Maj 2024
10:27
Alfred Lleshi
back button

Më në fund fitoi diçka pas tri vitesh objektivisht për t’u harruar, nga të gjitha këndvështrimet. Ai mund t’i kishte thënë lamtumirë mjedisit bardhezi, që e kishte adoptuar për rreth 10 vite, në një mënyrë tjetër, ndoshta duke thumbuar me ndonjë shaka drejtuesit që, pavarësisht fitimit të Kupës së Italisë, kishin vendosur tashmë disa kohë më parë për ta larguar. Në vend të kësaj, ai zgjodhi rrugën më të keqe, të shpërthimit përfundimtar të dikujt që thjesht nuk mund ta mbajë më gjithë zemërimin e ndrydhur.

Një zemërim që vjen nga larg. “Allegri-bis”, pas vitit të parë në të cilin e vetmja gjë për t’u shpëtuar ishte pushtimi i komplikuar i një vendi në Champions League, vazhdoi me një tjetër sezon makthi. Jashtë Europës në raundin e parë, me turpërimin (humbjen) ndaj Maccabi Haifa, i gjithë mjedisi ishte shkatërruar nga hetimi i “Prisma”, i cili i hoqi Max-it sponsorin numër një, Andrea Agnelli, që e kishte kërkuar me ngulm kthimin e tij, duke i dhënë një pagë super të madhe.

John Elkann merr përsipër klubin dhe i jep Max-it, në vend të letrës së shkarkimit, që shumëkush priste, menaxhmentin sportiv të Juventusit, duke e ngritur efektivisht në një rol menaxherial. Në praktikë ai e gjen veten duke vepruar si menaxher anglez: trajner në fushë dhe menaxher i gjithçkaje që ndodh rreth aktivitetit sportiv të klubit. Duket si fillimi i një idili, por diçka në ingranazhe kërcet. Allegri pret të shohë mikun e tij Giovanni Manna të promovuar nga U-23 në rolin e drejtorit sportiv, por në vend të kësaj klubi rrëmben Cristiano Giuntoli nga Napoli. Ky ishte fillimi i fundit.

Pavarësisht fjalëve të respektit reciprok, gjërat nuk shkojnë mirë. Janari është muaji i thyerjes përfundimtare, mes transferimeve të dështuara dhe faktit që Max mëson se drejtori sportiv është takuar në fshehtësi të madhe me Thiago Motta-n, për ta akaparuar atë për sezonin e ardhshëm. Takim që kishte ndodhur pranë Fioranos. Allegri ndihet i tradhtuar dhe sheh se klubi, përveç disa besnikëve të tij, ka filluar ta trajtojë ftohtë. Ai ndjen se atmosfera ka ndryshuar, kur edhe gazetat, të cilat e kishin mbështetur gjithmonë, pavarësisht kësaj, fillojnë të flasin për një lamtumirë.

Pjesa tjetër është lajmi i ditëve të fundit, me skenat shpërthyese të së mërkurës në mbrëmje. Ndoshta tendosja e tolerancës kishte filluar të shkonte drejt këputjes, por reagimi i furishëm e futi menjëherë në gabim. Giuntoli i përjashtuar prej tij nga festimet (largohu, largohu), sulmet ndaj gazetarëve, striptizat histerike dhe qëndrimet jo miqësore ndaj zyrtarëve të ndeshjes ishin disa nga pasojat, në sytë e të gjithëve.

Ka mënyra të ndryshme për ta demonstruar shqetësimin tuaj, edhe kur mendoni se keni qenë “viktimë” e një padrejtësie. Kjo iu ndodh të gjithëve në botën e punës. Megjithatë, shumë pak reagojnë kështu. Gjithashtu sepse, zakonisht, ju pushojnë nga puna, por jo të gjithë mund të rrinë në divan, me 7 milionë, plus bonuse, në xhepa.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit