Allegri optimist: Janë edhe 47 pikë në lojë, besoj te kualifikimi në Champions. Për Pogba dhe Chiesa…

27 Shkurt 2023
14:53
Alfred Lleshi
back button

Massimiliano Allegri ka folur në konferencën për shtyp, në prag të derbit të Torinos. Bardhezinjtë do të dalin nesër në fushë prej orës 20:45 në “Allianz Stadium”. Allegri e prezantoi sfidën kështu:

“Është gjithmonë një derbi, një ndeshje shumë e rëndësishme, sidomos për ne. Bologna mundi Interin dhe tani duhet ta kapim rastin për të vazhduar ngjitjen tonë. Janë 47 pikë dhe duhet të bëjmë ç’të mundemi për të qëndruar në top 4, pavarësisht se çfarë do të ndodhë më vonë.

Tronditja e penalizimit (zbritjes së 15 pikëve nga klasifikimi) tani ka përfunduar. Torino do të jetë shumë e përgatitur dhe agresive, skuadrat e Juric janë gjithmonë precize në lëvizjet e tyre. Ne duhet të jemi të mirë për të luajtur një lojë inteligjente, me respekt maksimal për kundërshtarin”.

Trajneri i Juventusit më pas bëri disa njoftime të rëndësishme për rikuperimin e lojtarëve të dëmtuar: “Chiesa u stërvit dje me skuadrën, pas disa ditësh. Nuk e di ende nëse do të fillojë si titullar, por për momentin është e vështirë. Pogba, nga ana tjetër, është më mirë dhe do të grumbullohet me skuadrën, pastaj do të luajë nëse është e nevojshme.

Ndeshja e tij e fundit zyrtare ishte pothuajse një vit më parë. Para se të luajë titullar te Juventusi do të duhet kohë. Ai duhet të kuptojë se është një gjë e rëndësishme kjo fazë e sezonit për t’u rikthyer në rrugën e duhur. Stimujt duhet të jenë të duhurit për ta përmbyllur mirë sezonin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit