Ambrosini “pa filtra”: Gattuso, i destinuar për Botërorin. Allegri është garancia e Milanit

18 Qershor 2025
14:28
Alfred Lleshi
back button

I pranishëm në Firence për eventin “Pitti Uomo”, Massimo Ambrosini foli për trajnerin e ri të kombëtares axurre, ish-shokun e tij të skuadrës, Gennaro Gattuso: “Mendoj se në situatën në të cilën ndodhemi, Rino është ideal nga pikëpamja e personalitetit dhe mënyrës së të propozuarit futboll. Mund të gjejë atë që është e nevojshme për një kombëtare: ekuilibrin mes emocioneve dhe praktikës. Sipas meje, ai do të ketë aftësinë për të bërë përmbledhjen më të mirë në kohën më të shkurtër të mundshme”.

A është Pioli zgjedhja e duhur për Fiorentinën?
Është një zgjedhje inteligjente. Kudo ku ka qenë Pioli, gjithmonë e kanë vlerësuar shumë. Te Milani la një trashëgimi të konsiderueshme në nivel njerëzor dhe cilësie futbollistike, të njohur nga të gjithë. Prandaj them se po, zgjedhja e Piolit është e duhura për një skuadër që duhet të ketë ambicie më të mëdha. Firenze është një qytet që meriton të përjetojë sezone të caktuara. Nuk do të jetë e lehtë, por ka realitete që tregojnë se mund të realizohet diçka e rëndësishme.

A shkon blerja e Dzeko në këtë drejtim?
Mund të ndihmojë shumë. Fiorentina duhet të kuptojë nëse Kean do të qëndrojë apo cili do të jetë lojtari në vend të tij për t’i qëndruar pranë. Dzeko është një lojtar me eksperiencë, një investim për të tjerët, për të rinjtë.

Bennacer dhe Calabria do t’i përshtateshin…
Calabria është një djalë serioz, me cilësi të dobishme. Sidoqoftë, duhet kuptuar çfarë do të ndodhë me Dodo, sepse nuk besoj që Davide do të ketë dëshirë të vijë si zëvendësues. Në mesfushë, Fiorentina do të ketë situata për t’i menaxhuar, por Bennacer është një lojtar i fortë dhe nëse do të vijë mund të ndihmojë, sigurisht.

Çfarë mendoni për Ancelottin te Brazili?
Carlo ka mbërritur në një nga pankinat më të dëshiruara. Nuk do ta ketë të lehtë, megjithatë Brazili, edhe pse ka më pak talent sesa vitet e arta, ka potencial të madh. Ta shohësh atje të bën pak përshtypje, por do të jetë një mundësi e madhe.

Më i vështirë roli i Ancelottit apo i Gattusos?
Më i vështirë për Rinon. Ai ka pak hapësirë për të ndërtuar dhe shumë për të optimizuar: 6 ndeshje për t’i fituar dhe shënuar sa më shumë gola. Objektivi i tij është kualifikimi në Botëror.

Si ish-mesfushor, çfarë mendoni për Fagiolin?
Është një djalë që, pas gjithçkaje që ka kaluar, ia vlen të investosh tek ai. Këtë vit ka bërë disa ndeshje vërtet interesante. Fiorentina duhet të gjejë një linjë për të valorizuar potencialin e madh që ka.

A është Allegri njeriu i duhur për ta rikthyer Milanin në Europë?
Max është një garanci. E di që është shumë i motivuar. Premisat janë, por shumë do të varet nga ajo që do t’i vihet në dispozicion.

A mund të bëjë ende diferencën Modric?
Kampionët e mëdhenj gjithmonë mund ta bëjnë diferencën, varet çfarë do t’i kërkohet. Këtë vit ka luajtur shumë.

Si do të rifillojë Interi?
Do të rifillojë duke u përpjekur të kalojë një zhgënjim, që nuk kalon lehtë. Janë plagë që nuk shërohen dhe ndoshta është më mirë kështu, sepse t’i harrosh do të ishte gabim. Duhet të mësojnë të jetojnë me to, vetëm kështu mund të rifillojnë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit