Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka mbetur i kënaqur nga fitorja 4-0 që “djjatë e kuq” arritën ndaj Everton në Premier League. Një triumf ky për skuadrën e United, që kishte kohë që nuk shijonte rezultate të tilla.
“Rezultati ishte i mirë, por ne ishim pragmatikë. Ne bëmë detyrën tonë, që është të fitojmë, por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Everton e nisi mirë, por ne shënuam golat në kohën e duhur dhe kjo ndryshoi lojën”, tha Amorim.
Më tej, trajneri portugez shtoi: “Unë nuk përqendrohem vetëm te rezultati. Kemi shumë për të bërë, por është më e lehtë kur punon pas një fitore. Le të përqendrohemi te performanca dhe jo te rezultati. Këtë gjë e ndjejmë edhe gjatë ndeshjes”.
“Duhet një seri performancash të mira. Kemi momente ku jemi mirë, por më pas ka momente ku duhet të vuajmë. Kjo ndodhi edhe në Europa League. Na duhet kohë për t’u stërvitur dhe përmirësuar, por kjo fitore vlen shumë”, tha Amorim.
Duke folur pr dy golat e realizuara nga Joshua Zirkzee, trajneri tha: “Është meritë e lojtarit, ai bëri një punë të shkëlqyer. Ne kishim një ide, kishim nevojë për lojtarë të freskët, që kishin luajtur pak dhe ai e tregoi veten”.
Për formën e përmirësuar të Marcus Rashford, trajneri Amorim shtoi: “Një trajner i ri është gjithmonë i tillë, por ka shumë për të përmirësuar. Ai mund të bëjë shumë më mirë. Ne të gjithë duhet të përmirësohemi, por ishte një punë e shkëlqyer nga lojtarët”.