Pas humbjes në kampionat ekipi i Manchester United do të luajë sot në Europa League ndaj Viktoria Plzen, me shpresën që të rikthehet te fitorja dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në raundin tjetër. Një sfidë e vështirë për “djajtë e kuq”, pasi kanë 9 pikë, po aq sa rivalët e sotëm.
“Është me të vërtetë shumë e rëndësishme për ne si skuadër në këtë moment që të fitojmë dhe të kalojmë në fazën tjetër pa pasur nevojë të luajmë në play-off. Ato dy ndeshje shtesë do të prishnin programin tonë, pasi kam nevojë për të kaluar më shumë kohë me skuadrën në stërvitje”, tha trajneri Ruben Amorim.
“Disa skuadra kanë dëshirë të luajnë, por për ne është me të vërtetë shumë e rëndësishme të jemi pushim. Viktoria Plzen është një rival i fortë, ata janë të pamposhtur në shtëpi në Europë, ndaj do të na duhet shumë punë për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo sfidë”, shtoi trajneri portugez.
Amorim pranon se do të ketë mjaft ndryshime te Manchester United. “Ndryshimet janë të pashmangshme kur nuk fiton. Janë shumë detaje që duhet të menaxhoj dhe secili prej tyre ka rëndësi. Duhen parë shumë lojtarë. Nëse nuk fitohet ikën trajneri por edhe lojtarët. Ka shumë për të bërë kështu, le të përqendrohemi në përmirësimin e lojtarëve tanë”.