Prej një jave, Ruben Amorim është në krye të skuadrës së Manchester United. Ai mori vendin e lënë bosh nga Erik ten Hag, duke shpresuar që të bëjë me “djajtë e kuq” atë që arriti edhe te Sporting Lisbonë.
Pasi kaloi javën e tij të parë në Manchester, trajneri 39-vjeçar portugez dha një intervistë të parë në detyrën e re. Amorim pranoi se skuadra e tij duhet të fitojë kohën e humbur, për të ngjitur shkallët në renditjen e Premier League.
Manchester United, aktualisht renditet në vendin e 13-të, ndaj trajneri u premtoi tifozëve se do të punojë jashtë orarit për të rimarrë atë që ai beson se është vendi i tyre i merituar në krye të Ligës angleze.
“E dimë që na duhet kohë për të arritur këtë gjë, por do të na duhet të fitojmë kohën e humbur. Të fitosh kohë do të thotë të fitosh ndeshje, por gjëja më e rëndësishme për mua është identiteti”, tha Amorim për mediat.
“Që nga dita e parë kemi nisur me gjetjen e identitetit tonë. Sigurisht që do të përgatitemi për ndeshjet, por do të fokusohemi shumë në modelin tonë të lojës. Si të luajmë, si të presim, këto detaje të vogla”, shtoi trajneri portugez.
Më tej, Amorim tha: “Nuk mund të shkosh 100% në çdo detaj, sepse do të jetë konfuze për lojtarët. Pra, nëse më duhet të them një gjë, qëllimi im kryesor, qëllimi im i parë, është identiteti”. Ndeshja e parë e tij është ajo kundër Ipswich.