Ana e errët e arbitrit që do drejtojë Itali-Shqipëri. I dënuar për trukime, “makthi” i skuadrave italiane

15 Qershor 2024
18:45
Alfred Lleshi
back button

Italia është gati të debutojë në Europianin e 2024 si kampione në fuqi. Ndeshja e parë në Grupin B do të jetë kundër Shqipërisë, sonte prej orës 21:00. Një test shumë i rëndësishëm për Luciano Spalletti. Kuqezinjtë dhe axurrët do t’i gjykojë Felix Zwayer, një arbitër që vitet e fundit nuk ka zgjuar kujtime të këndshme për skuadrat italiane të përfshira në kompeticionet europiane.

Gjyqtari gjerman ka një precedent shumë të fundit me axurrët, që daton në nëntorin e kaluar. Ai drejtoi ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” kundër Maqedonisë së Veriut, ku e anuloi golin e Raspadorit për pozicion jashtë loje dhe pranoi një penallti për prekje të topit me dorë në zonë nga Serafimov.

Gjyqtari gjerman, i lindur në vitin 1981, ka pasur tashmë disa ndeshje ndërkombëtare, përfshirë finalen e fundit të Ligës së Kombeve mes Spanjës dhe Kroacisë. Që nga viti 2015 ai ka arbitruar rregullisht ndeshjet e Champions League, ku ka drejtuar disa herë skuadrat italiane. Në Botërorin 2018, në Rusi, u përzgjodh nga FIFA për të kryer rolin përkatës në VAR. Ai do të jetë pjesë e ekipit të madh të “bilbilave” gjermanë që do të marrin pjesë në këtë Kampionat Europian.

Në realitet e kaluara e tij fsheh disa të meta. Në vitin 2004, kur ishte thjesht një asistent, ai u vu nën hetim për shkak të arbitrit Hoyzer, i dënuar me 2 vite e 5 muaj burg për fiksimin e disa ndeshjeve të serisë së dytë gjermane në këmbim të 300 mijë eurove. Zwayer u dënua 6 muaj pezullim vitin e ardhshëm, kur gjithashtu pranoi përfshirjen në paracktim rezultatesh, por në vitin 2009 u promovua në Bundesligë.

Ai nuk ka marrëdhënie idilike me skuadrat italiane. Juventusi i Sarrit e kujton mirë këtë, duke u eliminuar në vitin 2020 në 1/8 finale të Champions League për shkak të një penalltie inekzistente ndaj Lyon-it të Rudi Garcias, ndërsa në “Europa League” e fundit bëri shumë gabime në ndeshjen e kthimit midis Brighton dhe Romës, duke anuluar një gol të rregullt të Azmoun.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit