ANALIZA / Interi është i lodhur. Nga Superkupa te Bologna, vuajtje të vazhdueshme në pjesët e dyta

16 Janar 2025
7:46
Alfred Lleshi
back button

Që janari është një muaj i rrezikshëm, Simone Inzaghi e dinte. Mjaftonte të shihje kalendarin, dendësinë e ndeshjeve dhe periudhat e shkurtra për rikuperim. Në kushte normale, ekipet i përdorin ditët në fillim të vitit për një “përgatitje shtesë”.

Nuk është se gjithçka fillon nga zero, por punohet për të përmirësuar dobësitë, kryesisht ato fizike. Këtë vit, për shkak të Superkupës, as Interi dhe as Milani nuk e patën këtë mundësi, duke përfshirë edhe udhëtimin dhe ndryshimin e klimës.

Kjo situatë po ndikon tek Interi, që ka humbur shkëlqimin dhe fuqinë e para disa javëve, si ajo e ndeshjes kundër Lazios. Në terma të thjeshtë, Interi është i lodhur. Edhe pse ka një skuadër të plotë, vijnë momente kur as titullarët e parë dhe as alternativat nuk përmbushin pritshmëritë.

Problemet që rëndojnë mbi Interin janë: Mungesa e kreativitetit në lojë. Calhanoglu, i njohur për pasimet dhe vizionin e tij, është ende jashtë fushave. Efikasiteti në sulm. As Arnautovic dhe as Taremi nuk janë në dispozicion për të ndihmuar në shënimin e golave.

Menaxhimi i avantazhit. Mkhitaryan mungon dhe Zielinski nuk arrin ta zëvendësojë plotësisht në rolin e tij.

Difensiva e lodhur. Bastoni ka nevojë për pushim, por Acerbi është gjithashtu jashtë.

Në Superkupë, pjesa e dytë ndaj Milanit ishte një katastrofë, me Interin që nuk mundi ta ndalonte përmbysjen agresive të kundërshtarit. Në ndeshjen kundër Bologna, pas daljes së Lautaros, Interi humbi qartësinë taktike dhe nuk pati ndikim nga lojtarët e futur si zëvendësues. Kundërshtarët morën iniciativën dhe dominuan fushën.

Napoli ka një kalendar më të komplikuar, por përfiton nga forma e gjatë pozitive dhe motivimi i trajnerit. Për Inzaghi, përballjet me ekipe si Venezia, Bologna dhe Empoli ishin mundësi ideale për të marrë pikë të vlefshme. Sidoqoftë, Bologna mbetet një kundërshtar problematik për të, duke kujtuar humbjen e një titulli të sigurt dhe eliminimin e papritur nga Kupa e Italisë vitin e kaluar.

Ky barazim ndaj Bologna mund të jetë ndër ato dy pikë që do të ndihen të humbura në fund të sezonit. Nervozizmi i Inzaghit në fund të ndeshjes duket se buron pikërisht nga këto shqetësime.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit