Ancelotti bën zbulimin e pabesueshëm: “Kam imagjinuar sikur kisha Ronaldo-n përpara”

30 Korrik 2022
17:32
Denis Hakanaj
back button

Carlo Ancelotti ka bërë zbulimin e pabesueshëm se ka marrë pjesë në filmin hollivudian Star Trek, dhe më pas ka pranuar se është një “aktor i tmerrshëm”.

Trajneri i Real Madrid, 63 vjeç, ka realizuar një sezon të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar duke fituar La Liga-n dhe Champions League.

Tani, ai ka zbuluar se ka marrë pjesë në filmin e 2016-ës  Star Trek Beyond. Pjesëmarrja e shkurtër e Ancelotti-t ka qenë në rolin e doktorit që po vizitonte një alien.

Ai shfaqet në ekran për një ose dy sekonda, por ka provuar se mund të bëjë shenjën e famshme të simbolit Vulcan me dorën e tij, edhe pse nuk pati mundësi ta bënte në film.

Ancelotti ka thënë për Sky Sports: “Kam një rol të vogël. Jam një doktor në Enterprise. Bashkëshorti i aktores Zoe Saldana është italian dhe kemi një marrëdhënie shumë të mirë.

“Ata ishin në Vankuver për të xhiruar filmin dhe më kërkuan që të shkoja t’i shihja dhe unë shkova. Fola me regjisorin dhe ai më tha se do të më jepte një rol të vogël.

“‘Po tallesh’, ‘Jo, e kam seriozisht’. Do të kesh një paraqitje normale dhe do të vishesh si doktor”, ka kujtuar Ancelotti bisedën me regjisorin e filmit.

Një eksperiencë që i ka pëlqyer shumë trajnerit, i cili ka thënë për La Gazzetta Della Sport: “Ishte shumë bukur. Kam imagjinuar sikur kisha Cristiano Ronaldo-n përpara”.

Por çdo mundësi për një karrierë si aktor është hedhur poshtë nga vetë Ancelotti, i cili ka thënë për Four Four Two: “Jam një aktor i tmerrshëm. E adhuroja Star Trek në fëmijëri, kështu që ishte e mrekullueshme të merrja pjesë në film”.

Simon Pegg dhe Idris Elba janë mes aktorëve të njohur të filmit, ndërsa numri një i Amazon, Jeff Bezos, ka një rol të vogël si një alien.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit