Ancelotti hedh bom*ën: Real Madridi dhe klubet e tjera nuk do të luajnë në Botërorin e ri të Klubeve

10 Qershor 2024
10:12
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka thënë në një intervistë për gazetën italiane “Il Giornale” se klubi i bardhë nuk do të marrë pjesë në Botërorin e ri të Klubeve të organizuar nga FIFA.

“FIFA bën si do vetë. Lojtarët dhe klubet nuk do të marrin pjesë në atë kompeticion. Një ndeshje e vetme e Real Madridit vlen 20 milionë euro, ndërsa FIFA dëshiron të na japë atë shumë parash për të gjithë kompeticionin. Nuk do të jemi atje. Real Madridi dhe klubet e tjera do ta refuzojnë ftesën”, – plasi “bombën” trajneri i “Los Blancos”.

Në intervistë, trajneri nga Reggiolo bën një bilanc të sezonit të tij të suksesshëm nga pushimet, që po i kalon në Montana të SHBA: “E ruaj pasionin tim për futbollin si ditën e parë, kështu i jetoj ndeshjet, lojën. Këtë ekuilibër e kam mbajtur gjithmonë me vete, kam kapërcyer momente jo gjithmonë pozitive. Pas eksperiencës me Evertonin kisha dalë nga radari, më kishin braktisur. Unë isha tashmë i moshuar… E njëjta gjë më ndodhi në Napoli”.

Më tej shtoi: “Real Madridi është i veçantë. Milani është në zemrën time. Kam luajtur, kam qenë trajner, është një pjesë e madhe e jetës sime profesionale. Reali është Reali, çfarë mund të jetë më mirë? Këtu ka respekt për historinë, të gjithë futbollistët e së kaluarës janë të pranishëm në fotografitë e qytetit sportiv”.

Italiani vlerëson Modric dhe Kroos. “Luka është një shembull unik i cilësisë dhe personalitetit. Fatkeqësisht, Kroos ka vendosur të ndalet, ai është gjerman në vendimet e tij, por do të vazhdojë të jetojë në Madrid. I thashë që nëse në vjeshtë duhet të mendohet për më mirë, duhet të më telefonojë. Jam gati t’ia fillojmë sërish”, – bëri shaka trajneri italian.

Në një përmbledhje të karrierës, Ancelotti komenton marrëdhëniet e tij me presidentët. Thjesht bëni listën e presidentëve: “Ceresini, Tanzi, Viola, Agnelli Gianni dhe Umberto, Berlusconi, Abramovich, Rummenigge dhe Hoeness, Al Khelaifi, Vichai, De Laurentiis dhe Florentino. Një ditë do të më duhet të shkruaj një libër: presidentët e mi dhe unë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit