Ancelotti: Kjo ndeshje na dha lajme të mira, të shohim nëse mund të vazhdojmë kështu

21 Prill 2025
9:33
Alfred Lleshi
back button

Carlo Ancelotti theksoi rëndësinë e fitores për të rikuperuar besimin dhe mos humbur ritmin në garën e titullit në La Liga. Ai nënvizoi mungesën e thirrjes nga VAR-i për të rishikuar penalltinë e mundshme ndaj Bellingham dhe u shfaq ironik për këtë: “Ky është futbolli modern”. “Don Carlo” gjithashtu lavdëroi Viniciusin dhe pjesën e dytë shumë të mirë të skuadrës së tij.

Për gjykimin: “Goli i anuluar i Vinicius nuk ka dyshime, sepse është automatik. E çuditshme që nuk e thirrën arbitrin për ta verifikuar penalltinë ndaj Bellingham. Ky është futbolli modern”.

Për penalltinë e së shtunës në “Montjuïc”: “Futbolli modern është ky. Marcelino është dakord me mua…”

Çfarë i tha Valverdes: “Ka qenë vendimtar me golin, në pjesën e dytë kemi bërë shumë mirë në të gjitha aspektet, skuadra e ka përmbushur detyrën dhe Fede në fund ka qenë çelësi”.

A ka provuar diçka për finalen e Kupës: “Jo, kam zgjedhur një 11-she për të pasur më shumë kontroll me Luka dhe Ceballos, që bëri mirë në 60 minuta, sepse vinte nga një dëmtim. Kemi kohë për ta përgatitur finalen e kupës, kjo fitore na bën mirë”.

Për pjesën e dytë më të mirë: “Në pjesën e parë patëm më shumë kontroll, nuk u vumë në presion nga Athletic, por në të vërtetë nuk krijuam raste. Mendoj se ndeshja ishte e mirë, nuk pësuam gol, ishim agresivë dhe solidë. Ka lajme të mira dhe shpresoj të përmirësohemi më tej”.

Për Vinicius: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, ka qëndrim fantastik, dha dy-tri pasime për gol, ka qenë vendimtar si gjithmonë”.

A mund të luajë më shpesh me 4-4-2: “Formacioni im i preferuar është 4-4-2, sepse mendoj se mbrohemi më mire. Kam shumë simpati për të, sepse është sistemi më i mirë në aspektin mbrojtës”.

Qëndrimi i publikut: “Nuk kisha dyshim se tifozët do të na mbështesnin, ishin shumë mirë si gjithmonë. Ata si ne besojnë se mund të arrijmë diçka këtë sezon”.

Për portierin në finalen e Kupës: “Ose Lunin, ose Courtois, nuk përjashtoj as Fran González, që ka bërë mirë kur ka luajtur”.

Gjendja e Vinicius: “Nuk kanë qenë ditë të lumtura për të dhe as për ne, por më pëlqeu ajo që bëri. Gjithmonë është shumë i rëndësishëm për ne”.

Pse nuk e ka përdorur më shpesh 4-4-2: “Kjo nuk do të thotë që duhet të luaj me katër mesfushorë. Ndonjëherë sulmuesit kanë qenë Mbappé dhe Vini, si dhe Jude majtas, por ishte një 4-4-2. Mund të luash kështu edhe me gjashtë mesfushorë, kemi anësorë që mund të luajnë në mes”.

A mund të luajë Bellingham si “9 fals” në finalen e Kupës: “Ajo pozitë na dha shumë përparësi sezonin e kaluar. Sot e bëri shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë, sepse sulmuam më shumë dhe e meritonte të shënonte”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit