Sulmuesi brazilian Rodrygo rikthehet të stërvitet në grup pas një dëmtimi disajavor dhe tani synon të jetë në fushën ditën e martë, kur Real Madrid do të luajë ndaj Milan në Champions League.
“Los blancos” kanë kryer dje pasdite një seancë stërvitore në Valdebebas dhe lojtari është stërvitur bashkë me pjesën tjetër të ekipit. Sipas “Marca”, lojtari po bën progres në rrugën e rikuperimit.
Rodrygo, i cili stërvitej veçmas që nga fillimi i javës, tashmë i është bashkuar punës në grup, duke bërë një hap të rëndësishëm përpara në rikuperimin e tij. Ndaj, ai pritet të përfshihet në skuadër për ndeshjen e së martës.
Ndeshja ndaj Milan do të luhet në “Bernabeu” dhe skuadra spanjolle synon një rezultat pozitiv para tifozëve të saj pas zhgënjimit ndaj Barcelonës. Rikthimi i Rodrygo është një armë më shumë për trajnerin Ancelotti.