Vigjilje me emocione të forta për Carlo Ancelottin, trajnerin e Real Madridit, që të martën në mbrëmje do të përballet me Milanin në Champions League. Trajneri i “Los Blancos” prezantoi ndeshjen ndaj kuqezinjve në konferencën për shtyp.
A ishte e drejtë të mos luanit fundjavën e kaluar, duke pasur parasysh tragjedinë në Valencia?
E gjithë bota e futbollit ishte e qartë, askush nuk donte të luante dhe mendoj se ishte vendimi i duhur. Duke thënë këtë, ne thjesht respektojmë atë që na kërkohet të bëjmë.
Si përgatiteni për një sfidë të tillë?
Qartësisht kjo situatë ndikon tek ne, ajo që ndodhi është e pabesueshme dhe e tmerrshme. Ne e përgatisim ndeshjen me kujdes, sepse jemi profesionistë. Ishim të gjithë të qartë, askush nuk do të kishte dashur të luanim, por nuk vendosim vetë.
Për ju është një ndeshje e veçantë kundër Milanit…
Ndjenja që kemi tani është të flasim sa më pak për futbollin, për respekt të asaj që ndodhi në Valencia. Milani, por edhe gjithçka tjetër del në plan të dytë në këto momente dramatike për Valencian si komunitet.
A keni diçka për të thënë për ceremoninë e “Topit të Artë”?
“Topi i Artë” ka kaluar. Ata ma dhanë “Topin e Artë” më 1 qershor, kur fituam Ligën e Kampionëve.
“Topi i Artë” dhe më pas tragjedia e Valencias. A është kjo një nga javët më të këqija të karrierës suaj?
Ishte një javë e vështirë, sepse disa gjëra ndodhën, por trishtimi nuk është për “Topin e Artë”. Gjithçka është e fokusuar në atë që po ndodh në Spanjë”
Si është Vinicius pas polemikës për “Topin e Artë”?
Vinicius është si të gjithë ne, e kuptojmë se çfarë po ndodh. Fatmirësisht nuk luajtëm në fundjavë, kishim kohë të përgatiteshim për ndeshjen ndaj Milanit. Vinicius është stërvitur mirë, si gjithmonë.
A kanë lojtarët dhe skuadrat forcë të thonë ‘ne nuk luajmë’?
Fuqia jonë në këtë kuptim është zero. E gjithë bota e futbollit ishte e të njëjtit mendim, edhe ata që luajtën e bënë këtë pa dashur. Fuqia e lojtarëve dhe trajnerëve në këtë kuptim është zero.
Futbolli është një nga veprimtaritë më të pasura ekonomikisht, por pse nuk duam të ndalemi?
Nuk jam personi i duhur për të folur për këtë. Drejtuesit thonë se shfaqja duhet të vazhdojë, por nuk është gjithmonë kështu. Ne jemi të përfshirë, por nëse merren vendime, duhet të përshtatemi.
Si është Vinicius mendërisht?
Vinicius është i trishtuar si ne, por jo sepse nuk e fitoi “Topin e Artë”. Është për shkak të asaj që po ndodh në Valencia.