Ancelotti për kalimin e Haaland te City: Lojtar i madh, por unë preferoj…

11 Maj 2022
15:35
Alfred Lleshi
back button

Me titllin e La Liga-s të fituar dhe finalen e Champions League për ta luajtur, sezoni i Real Madridit nuk ka të sharë. Carlo Ancelotti është i fokusuar në finishin e të gjitha garave sezonale, teksa “Los Blancos” do të përballen me Liverpool-in më 28 maj në Paris.

“Askush nuk mendonte se mund të kalonim në finale, prandaj ka edhe më shumë entuziazëm te tifozët tanë. Dje pashë Liverpool-in, e studiova, por e njohim shumë mirë. Unë dhe stafi im jemi përballur disa herë me ta në vitet e fundit. Ndodhi si me Napolin, ashtu edhe me Evertonin. Edhe të kuqtë gjithashtu më njohin shumë mirë, mua dhe Realin”.

Trajneri italian është entuziast për disponueshmërinë e treguar nga lojtarët e tij: “Askush nuk më krijoi probleme kur zgjodha t’i lë pushim, po flas për njerëz që kanë fituar 4 Champions. Në të kaluarën më ka ndodhur me lojtarë të tjerë që nuk i kanë pëlqyer zgjedhjet e mia, ky është ndryshimi i Real Madridit. Për një trajner është e vështirë ta ketë grupin gjithmonë të motivuar”.

Ancelotti e fitoi La Liga-n si protagonist: “Ishte diçka fantastike, e merituar. Ne ishim të vazhdueshëm, me vetëm dy momente të vështira për shkak të humbjeve kundër Espanyol-it dhe Barcelonës. Skuadra ka qenë gjithmonë e mirë në reagim, një triumf i merituar pa nëse dhe por”.

Mbyllja e konferencës për shtyp iu kushtua merkatos. Ancelotti fërkon duart për Rudiger, ndërsa për Mbappè ka ende dilema mbi transferimin e tij në Madrid: “Nuk më duket korrekte të flas për tregun e transferimeve tani, do ta bëjmë pas finales së Champions League.

Nuk është koha për të komentuar këto tema”. Njërin, megjithatë, e komenton dhe ka të bëjë me statusin zyrtar të transferimit të Haaland te Manchester City: “Një lojtar i madh për një klub të madh. Sidoqoftë, unë jam me ekipin tim, me lojtarët e mi që më sollën emocionet e një tjetër finaleje të Champions League”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit