Ka nisur numërimi mbrapsht për lamtumirën e Carlo Ancelottit nga stoli i Real Madridit. Pas katër ditësh luhet finalja e Kupës së Mbretit, në Seville kundër Barcelonës. Mënyra më e mirë për të marrë hak pas goditjeve të marra nga blaugrana-t këtë sezon dhe për t’u përshëndetur me popullin madrilen me ngritjen e një trofeu. Sepse zërat për një largim të tij të menjëhershëm, pas kësaj ndeshjeje, janë gjithnjë e më të fortë, pavarësisht kontratës që zgjat deri më 2026 dhe Botërorit për Klube për t’u luajtur. Kompeticion që, për hir të së vërtetës, ka qenë që në fillim i pakëndshëm për trajnerin nga Reggiolo. Qershorin e kaluar, ai deklaroi se Real Madridi nuk do të merrte pjesë në të, duke e detyruar klubin të publikonte një komunikatë që e mohonte këtë. Më pas kjo çoi edhe vetë Ancelottin t’i tërhiqte fjalët.
Fundi i një cikli, merkatoja e gabuar
Faktikisht, pas 6 viteve si trajner i Real Madridit, të ndara në dy periudha, cikli ka përfunduar. Edhe një mjeshtër i menaxhimit të dhomave të zhveshjes si ai ka pasur vështirësi në një skuadër plot me yje dhe me pak ekuilibër. Merkatoja që ka ndjekur më shumë emrin e madh (Mbappé) sesa nevojat reale të ekipit, në të vërtetë nuk e ka zëvendësuar kurrë Toni Kroos-in, ndërsa Luka Modric po afrohet te të 40-at. Një Real Madrid që ka humbur 4-0 në “Bernabeu” kundër Barcelonës dhe e ka pësuar 5-2 në Superkupë, sërish në “El Clasico”. Skuadra e bardhë është eliminuar në çerekfinalet e Champions League, gjë që nuk ndodhte nga viti 2020. Tashmë ka nisur “valsi i trajnerëve” për pankinën e bardhë. Së fundi është përmendur emri i Jurgen Klopp-it, por favoriti absolut mbetet Xabi Alonso.
Pakti mes xhentëlmenësh
Trajneri bask ka qenë prej kohësh në shënjestrën e Real Madridit, i kërkuar gjithashtu nga Liverpool dhe Bayern Munich, tri skuadra ku ka luajtur dhe ka fituar si lojtar. Tri klube për të cilat Bayer Leverkusen është i gatshëm ta lërë të largohet trajnerin spanjoll. Konfirmimi ka ardhur nga Fernando Carro, CEO i klubit gjerman, i cili ka folur për një “pakt xhentëlmenësh”. Asnjë klauzolë në kontratë, thjesht marrëveshje verbale e vulosur me një shtrëngim duarsh. Nëse do të vinte kërkesa nga njëra prej ish-skuadrave të tij si lojtar, Leverkuseni do ta linte të lirë. Koha tashmë duket e pjekur. Alonso, pasi e hoqi nofkën “Neverkusen” nga klubi, duke e çuar për herë të parë në majë të Gjermanisë dhe mbi të gjitha pa asnjë humbje, vendosi të qëndrojë edhe një vit për të tentuar Champions League. Marrëdhëniet mes Leverkusenit dhe Real Madridit janë të shkëlqyera, deklaroi Carro: “Dhe nëse ka diçka për të diskutuar, do ta diskutojmë”. Koha duket e duhura…







