Ancelotti vulos të ardhmen e Hazard, “driblon” kërcënimet e Salah për hakmarrje

14 Maj 2022
13:25
Alfred Lleshi
back button

Carlo Ancelotti zbuloi në konferencën për shtyp para ndeshjes së Real Madridit kundër Cádiz (nesër, 19:30) se Eden Hazard nuk do të largohet nga “Bernabeu” në tregun e ardhshëm të transferimeve. Pra, edhe sezonin e ardhshëm do të vazhdojë të veshë fanellën e bardhë të klubit.

“Ne nuk kemi folur për këtë. Plani i tij është mjaft i qartë: qëndron dhe e bën këtë me shumë motivim. Eden nuk ka kaluar mirë në vitet e fundit dhe dëshiron të tregojë cilësinë e tij. Ai do të qëndrojë”.

Në daljen e tij para mediave, trajneri italian zbuloi gjithashtu se Courtois, Vinicius dhe Benzema do të pushojnë në ndeshjen ndaj skuadrës andaluziane për të shkuar në finalen e Champions League kundër Liverpool-it në gjendjen më të mirë të mundshme.

Trajneri i “Los Blancos” është pyetur edhe për fjalët e Mohamed Salah, që disa herë ka përmendur hakmarrjen ndaj Real Madridit për finalen e vitit 2018: “Salah ka thënë se në pozicionin e tij është më i miri në botë dhe mendoj se ka të drejtë. Jam dakord me të. Në pozicionin e tij, po, ai është më i miri në botë. Për hakmarrjen le t’ia lëmë fushës ta tregojë të vërtetën”.

Një pyetje disi me spec edhe për Madridin si qytet, nëse është i mirë  për të jetuar apo për të shkuar me pushime: “Për të qëndruar, për të jetuar. Jeton mirë, ushqehesh mirë, ka një atmosferë të mirë, moti të ndihmon shumë. Madridi është për të jetuar, jo për të kaluar pushimet”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit