Ka kohë deri më 2 gusht, të paktën kështu thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Federata Angleze e Futbollit në faqen e saj. Pozicioni i hapur, për të cilin kërkesat tregohen me shumë detaje, është ai i trajnerit të Anglisë.
Pikërisht kështu: për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Gareth Southgate pas humbjes në finalen e Kampionatit Europian kundër Spanjës, federata angleze ka identifikuar kandidatin ideal.
Sipas përshkrimit të punës, trajneri ideal i Anglisë duhet të jetë i aftë në tre gjëra:
1 – të drejtojë dhe zhvillojë ekipin e parë të meshkujve të Anglisë për të fituar një turne madhor dhe për t’u renditur vazhdimisht si një nga ekipet më të mira në botë
2 – të sigurojë udhëheqje frymëzuese për një ekip teknik multidisiplinar të klasit botëror
3 – të zhvillojë dhe të mbajë marrëdhënie të forta me klubet që aktivizojnë lojtarë të kualifikuar në Angli.