Ansu Fati: Mos më konsideroni Messi i ri, Barcelona është ekipi i ëndrrave

21 Tetor 2021
14:09
Alfred Lleshi
back button

“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më jep klubi dhe skuadra. Që nga dita e parë që kam vënë këmbën në ‘Camp Nou’, e kam pasur të qartë se dua të qëndroj këtu për shumë vite”. Këto janë fjalët e para të Ansu Fati, pas rinovimit të kontratës me Barcelonën deri në vitin 2027, me një klauzolë lirimi prej 1 miliard euro.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. E kam jetuar shumë intensivisht eksperiencën e deritanishme te Barcelona, por që në ditën e parë jam duke përmbushur një ëndërr, – shtoi sulmuesi i ri për ‘Barça TV’. – Kam një rrugë të gjatë për të bërë në këtë klub dhe në nivelin personal. Gjithmonë duhet të qëndroni me këmbët në tokë, sepse kështu mund të arrini ku të doni”.

Pikërisht për numrin e tij të ri, 10 e Messit, 18-vjeçari falënderoi klubin dhe kapitenët që i besuan. Ai premtoi se do të dijë ta menaxhojë presionin e fanellës së Leo Messit dhe dëshiron të vazhdojë rrugën e tij: “Unë mund të kisha mbajtur një numër tjetër, por mora këtë. Isha i gatshëm të vishja ’10’, sepse në fund jam te Barça dhe duhet të jem i përgatitur për gjithçka. Nuk është ndonjë presion, por më shumë motivim. Askush nuk do të krahasohet me atë që ka bërë Leo. Personalisht duhet të ndjek rrugën time”.

Përveç kësaj, anësori ka zbuluar: “Qysh nga dita e parë i thashë Jorge (Mendes) se opsioni i parë ishte të qëndroja te barcelona. Ai më kuptoi në mënyrë perfekte. Ne arritëm një marrëveshje dhe jam i lumtur që klubi më ka besuar. Kam marrë oferta nga jashtë, por isha shumë i qartë për këtë zgjedhje. Gjithmonë kam ëndrruar të kem sukses te Barça”. Ansu Fati ishte i shoqëruar në momentin e firmës mbi kontratën e re nga menaxheri i tij, Jorge Mendes, dhe prindërit.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit