Anthony Joshua masakron Ngannou në ring, e hedh 3 herë në tapet për 6 minuta dhe fiton me KO

9 Mars 2024
1:42
Telesport
back button

Boksieri britanik Anthony Joshua mundi sot me KO në raundin e dytë kamerunasin Francis Ngannou, një duel mes dy ish-kampionëve të botës në peshën e rëndë, zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite. Një sfidë pa histori, që zgjati më pak se 6 minuta, komanduar dhe fituar me meritë nga Anthony Joshua.

Ndonëse pritej një përballje më e fortë, në ring komandoi Joshua, që hodhi tri herë rivalin në tapet, duke befasuar të gjithë me paraqitjen e tij. Ngannou (ish-kampion në MMA) ishte shumë larg paraqitjes së treguar ndaj Fury disa muaj më parë, duke mos e goditur asnjëherë rivalin britanik.

Joshua e mori kontrollin e duelit që në raundin e parë, kur me një të djathtë të fortë goditi në fytyrë Ngannou, duke e hedhur në tapet. Më pas, ai e përsëriti këtë gjë edhe dy herë të tjera në raundin e dytë, duke e rrëzuar kamerunasin, që nuk u ngrit më dhe gjyqtari ndali sfidën.

Askush nuk e priste një fund kaq të shpejtë të kësaj sfide, që zgjati vetëm dy raunde. Joshua (28 fitore, 3 humbje) bëri atë që nuk realizoi dot Fury, duke dominuar sfidën dhe fituar me shumë lehtësi. Për Ngannou dy humbje në po kaq duele të zhvilluara në ring, por këtë herë largohet me turp.

Unë e kam thënë se cila do të jetë sfida ime e radhës. Dua fituesin e duelit që do të dalë nga përballja mes Fury dhe Usyk, po këtë vit. Unë dua të boksoj”, tha Joshua. I pranishëm në stadium edhe Tyson Fury, që duartrokiti fitoren e patriotit të tij

Lajme të tjera

Lajmet e fundit