Armando Broja kthehet pas 1 viti e gjysmë te kombëtarja: “Më mungonte! E ardhmja do të jetë e bukur”

22 Mars 2024
23:46
Telesport
back button

Armando Broja u rikthye pas një viti e gjysmë në kombëtaren e Shqipërisë duke kaluar problemet fizike. Sulmuesi i Fulhamit i huazuar nga Chelsea në Premier League, foli për programin “KUQ E ZI” në SuperSport 2 pas miqësores me Kilin:

“Çfarë nuk shkoi? Ishim pak pa fat sot. Me thënë të drejtën, nuk kemi luajtur mirë. Kili luajti më fort. Jemi të bashkuar si ekip, kemi dhe dy muaj kohë për Europianin. E dimë që nuk janë vetëm miqësore, kemi edhe Suedinë përpara. E dimë që miqësoret janë të vështira. Po përgatitemi që të jemi me Europianin.

Mua më kënaqi rikthimi pas një vit e gjysmë. Tifozët më kënaqen, u kënaqa me ta dhe me veten. Jam në një moment që jam pa formë. Jam rikuperuar pas një dëmtimi të rëndë. Më duhen minuta që të bëhem gati, por gjithçka po shkon mirë për mua me kalimin e kohës.

Sot humbëm, por gjërat e mëdha do të vijnë në verë. Gjithmonë kam luajtur pa presion, që kur isha i vogël. Për mua është e rëndësishme të rikuperohem mirë.

Si më priti skuadra në këtë grumbullim? Shumë mirë. Unë i njoh të gjithë, janë edhe disa të rinj. Janë miqësore, është normale që trajneri të shohë lojtarë të ndryshëm.

Nuk kam luajtur më parë me këtë trajner dhe këtë staf. Është gjë e bukur që po kuptohemi me trajnerin, stafin dhe shokët e skuadrës. E përsëris: gjërat e mëdha do të vijnë në verë.

Kur do të jem në 100% të formës? Nuk e di, por ndihem mirë fizikisht, ndihem mirë me trupin tim. Po stërvitem mirë dhe po ndihem gjithnjë e më mirë. Po kuptohem me trajnerin dhe shokët. Shoh nga e ardhmja, dua ta harroj dëmtimin. Kam shumë cilësi për t’i përdorur në të ardhmen”, theksoi 22-vjeçari shqiptar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit