Arrihet marrëveshja, Fury në ring më 6 gusht ndaj yllit të YouTube

23 Qershor 2022
13:53
Telesport
back button

Boksieri britanik Tommy Fury, vëllai i kampionit të botës në peshën e rëndë Tyson Fury, ka nënshkruar kontratën për të dueluar më 6 gusht ndaj yllit të YouTube, Jake Paul. Kjo sfidë ishte planifikuar për t’u zhvilluar dhjetorin e vitit të kaluar, por u shty.

Pak kohë para duelit, Fury pati probleme shëndetësore (infeksion në kraharor) dhe një brinjë të thyer, duke bërë që sfida të anullohet. Paul (5 fitore e 0 humbje në ring) asokohe dueloi me Tyron Woodley dhe e fitoi sfidën.

Paul pat deklaruar se nuk do ta ftonte më në ring Tommy Fury, por ndërroi mendje. Ai i la afat deri ditën e premte britanikut për të firmosur kontratën, e cila tashmë është nënshkruar. Ka qenë vetë Fury ai që bëri publik lajmin e sfidës me personazhin e njohur të YouTube.

Dua t’ju njoftoj se sfida e planifikuar për më 6 gusht është gati. Kontrata është nënshkruar”, tha Tommy Fury, që pat vënë disa kushte.

Pas shumë e shumë javësh në pritje që Jake Paul të kryejë testin anti-drogë, më në fund ai e bëri këtë gjë. Ne ramë dakord për marrëveshjen dhe jemi të dy të kënaqur, ndaj dueli do të zhvillohet normalisht. Shihemi më 6 gusht”, tha Fury, që pritet të arkëtojë 2 milion dollarë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit