Prej disa ditësh, mbrojtësi italian Riccardo Calafiori është një lojtar i ri i Arsenal. Trajneri i “topçinjve” Mikel Arteta rrëfen për nënshkrimin me 22-vjeçarin, që pritet të jetë një shtyllë e mbrojtjes së ekipit londinez.
“Kur fola me të, një ose dy herë, e dija se edhe skuadrat e tjera ishin të interesuara për të, ndaj nuk isha i sigurtë nëse mund ta merrnin apo jo. Por ai ishte i bindur. Më tha: Kur të jeni gati, çantat e mia janë gati dhe unë thjesht dua të vij tek Arsenal”, u shpreh Arteta.
“Këto ishin fjalët e tij dhe kur i dëgjova isha i bindur për këtë transferim. Nuk sheh shpesh dikë që ka atë vullnet të bashkohet me ne. Ardhja e tij na bën më të mirë dhe kjo vendosmëri, është me të vërtetë e fuqishme dhe si klub, ne duhet të jemi vërtet krenarë për këtë”, u shpreh Arteta.
Më tej, trajneri i Arsenal tha: “Anglishtja e tij është shumë e mirë, e kupton atë që duam sepse ia shpjegova dhe ai është shumë i emocionuar. Ai është një lojtar që e monitoruam për më shumë se një vit. Ne kishim mangësi në mbrojtje vitin e kaluar për sa i përket numrave dhe kërkuam disa përforcime aty”.
“Ne e identifikuam atë si një talent që mund të na japë aftësi dhe cilësi që do të na bëjnë më të mirë. Ne nënshkruam me një lojtar me kapacitet të madh, ende për t’u zhvilluar. Kjo rrit cilësinë dhe konkurrencën dhe është shumë e mirë për ekipin”, u shpreh Mikel Arteta.