Arteta “vjell vrer” ndaj arbitrit: I dha fitoren Interit, ndërsa neve na mohoi një penallti

7 Nëntor 2024
8:12
Alfred Lleshi
back button

Interit i mjafton një penallti, e kthyer në gol nga Calhanoglu (turku ka shënuar 19 nga 19 penalltitë e marra përsipër, që kur ka veshur fanellën zikaltër) për të mposhtur Arsenalin dhe për të shkuar në krye të grupit të Ligës së Kampionëve, me 10 pikë. Pikërisht ajo goditje nga pika e bardhë, së bashku me vendime të tjera të kryesorit Kovacs, e kanë indinjuar trajnerin e “Topçinjve”.

Në konferencën për shtyp, Mikel Arteta ka sulmuar arbitrin: “Penalltia e dhënë për Interin? Nuk e kuptoj. Nuk ka asnjë rrezik. Ju nuk mund të reagoni, sepse topi është shumë afër. Arbitrat vendosën se është penallti, atëherë ajo ndaj Mikel Merino, ku Sommer e godet atë në kokë, duhet të ishte penallti 100%.

Është shumë e vështirë për ta pranuar. Nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, për fat të keq duhet ta pranojmë dhe të vazhdojmë. Gjëja më e keqe e mbrëmjes është rezultati, jo performanca ndaj një prej skuadrave më të forta në Europë, – shtoi Arteta.

– Ne kemi njëfarë përgjegjësie për humbjen, mund të kishim shënuar të paktën dy gola. Në fund pati dy vendime të diskutueshme arbitrale që vendosën rezultatin e ndeshjes, fitoren minimale të Interit”.

Më pas, për gjendjen e Havertz, i cili doli i goditur nga një përplasje kokë më kokë me Bisseck, trajneri spanjoll sqaroi: “Le të shpresojmë se do të jetë mirë për ndeshjen e ardhshme të kampionatit”.

E njëjta situatë për Merinon: “Nuk ka probleme të mëdha, por gjithsesi në dy ditët e fundit nuk ishte në maksimumin e tij”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit