Asllani dhe Ajeti mezi e presin Europianin: Tifozët shqiptarë janë “zjarr”, me ta bëhemi më të fortë

30 Maj 2024
14:36
Alfred Lleshi
back button

Pas publikimit të listës paraprake për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin.

Në një prononcim për faqen zyrtare të FSHF, Kristjan Asllani dhe Arlind Ajeti kanë treguar emocionet kuqezi në prag të finaleve të Europianit. Mesfushori i Interit tha se gjithmonë është emocion i madh ftesa nga kombëtarja, ndërsa shtoi se po pret me padurim për të luajtur ndeshjet e Europianit, sidomos ndaj Italisë:

“Është një emocion i madh sa herë të thërret kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për t’i luajtur ndeshjet, janë emocione shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet e Europianit dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”.

Mesfushori kuqezi shtoi se tifozët shqiptarë janë “zjarr” dhe mbështetja e tyre do të jetë maksimale edhe në Gjermani: “Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kur kemi ata, jemi një lojtar më shumë në fushë dhe kjo është gjëja kryesore. Ne i presim dhe shpresoj që të na mbështesin si gjithmonë.

Dua ta luaj ndeshjen ndaj Italisë, kam shumë shokë dhe pastaj kam jetuar në Itali. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar”.

Nga Franca në Gjermani, për Arlind Ajetin është Europiani i dytë me fanellën kuqezi. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare tregon emocionet, por edhe çfarë ka ndryshuar gjithë këto vite: “Emocionet janë vështirë të përshkruhen, por dua të them që sa herë më thërret kombëtarja, jam gjithmonë i lumtur. Europiani është diçka shumë e veçantë dhe mezi presim që të fillojë.

Kemi shumë lojtarë me cilësi dhe pothuajse të gjithë luajnë në ekipe të mëdha. Kjo mendoj që është diferenca nga viti 2016. Gjithsesi, angazhimi, motivimi në kombëtare është gjithmonë në maksimum”.

Ajeti pret mbështetjen e tifozëve kuqezi edhe në dy miqësoret ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor, në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor, në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari: “Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Europian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit