Adrian Bernabé në “radarët” e Interit. Gazeta ‘Tuttosport’ shkruan sot se Interi është në kërkim të zëvendësuesit të Calhanoglu. Më konkretisht, klubi zikaltër ka vënë në shënjestër lojtarin e lindur në vitin 2001, i cili falë Parmës, ku luan që nga viti 2021, po rritet në mënyrë eksponenciale.
I rritur si mesfushor-sulmues, Bernabé ka reduktuar gradualisht gamën e tij të veprimit. Në formacionin e Pecchia është ‘regjisor’ i një mesfushe me dy lojtarë, me Hernanin. Futbollisti spanjoll do të zinte vendin e Kristjan Asllanit te kampionët në fuqi të Italisë.
Një vit më i ri, mesfushori shqiptar, në sezonin e tretë me fanellën zikaltër, e ka rritur kohën e lojës në fillim të sezonit, por ende nuk ka arritur të bëjë kapërcimin e vërtetë cilësor. Emri tjetër që Interi po monitoron për atë rol është Reda Belahyane, futbollist i lindur në vitin 2004, pjesë e Hellas Verona.
Ndërkaq, Asllani, shënuesi i golit vendimtar ndaj Gjeorgjisë, pas ndeshjes me Shqipërinë e tij ka shpjeguar pse shprehet më mirë në kombëtare: “Ishte një ndeshje e vështirë, sot erdhëm për tri pikët dhe ia dolëm.
Ajo që duhet theksuar është se në kombëtare luaj më përpara, duhet të jem më aktiv në fazën sulmuese për të ndihmuar shokët e mi me gola dhe asiste. Nuk ka rëndësi kush shënon. Në fund ishim të lodhur, por ia dolëm. Tifozët erdhën deri në Gjeorgji të na mbështesin dhe ne i falënderojmë”.